Trajneri i njohur, Ilir Daja, do të marrë drejtimin e skuadrës së Ballkanit.
Në një prononcim të shkurtër për KOHËN, Daja ka thënë se sonte do të niset drejt Suharekës, ku do të takohet me drejtuesit e Ballkanit për të finalizuar marrëveshjen.
“Sot udhëtoj drejt Kosovës. Nuk është çështja a e kam firmosur ende kontratën apo jo. Është çështje e marrëveshjes që kemi. Sonte do të kem një darkë me drejtuesit e Ballkanit dhe nesër mund të merrni më shumë informacione. Kaq mund të them për momentin, pasi pastaj nuk kam se çfarë të them”, tha Daja.
KOHA ka raportuar më herët se Daja është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës nga Suhareka dhe se marrëveshja është arritur.
Ai do ta zëvendësojë të shkarkuarin, Bekim Isufi, i cili e la Ballkanin në pozitën e tretë në tabelë me dy pikë më pak se Gjilani, që është lider.
Daja, 55-vjeçar, do të prezantohet para futbollistëve të mërkurën prej orës 11:00, ku Ballkani do të nisë përgatitjet për stinorin pranveror.
Për Dajën do të jetë hera e parë që do ta drejtojë skuadër në Kosovë. Së fundmi ka qenë trajner te Partizani i Tiranës. Nga Partizani u shkarkua në mungesë të rezultateve.
Ndërkaq në ta kaluarën ka drejtuar klubet më të mëdha në Shqipëri, si Skënderbeu, Tirana, Flamurtari, Besa, Elbasani dhe Dinamo e Tiranës.
Daja është nga Tirana.