Sport

Daja e vlerëson vendimtare ndeshjen e parë në Champions

Përvojën që e ka marrë më parë në garat evropiane me skuadrën e Skënderbeut nga Korça, trajneri Ilir Daja synon që ta bartë edhe te futbollistët me të cilët u shpall kampion në Kosovë, ata të Ballkanit. Daja në edicionin 2017/18 kishte arritur sukses në Ligën e Evropës duke u kualifikuar dhe luajtur në fazën e grupeve të kësaj gare me Skënderbeun, që atëbotë ishte ekip elitar në futbollin e Shqipërisë.

Daja muajin e shkuar udhëhoqi Ballkanin drejt titullit të kampionit në Superligën e Kosovës, që ishte i pari në histori të klubit nga Suhareka. E historinë Daja po shpreson ta shkruajë edhe në garat evropiane në sezonin 2022/23, kur Ballkani ta bëjë debutimin. Në Evropë, Ballkani do të paraqitet në Ligën e Kampionëve. Të martën Ballkani e mësoi kundërshtarin e raundit të parë kualifikues të Championsit. Do të jetë Zhalgiris Vilniusi i Lituanisë. Ai vlerëson lart lituanet, por insiston se Ballkani do të bëjë të pamundurën për ta kaluar raundin e parë kualifikues të garës më elitare të Evropës në nivel klubesh.

“E kemi ditur që këta kundërshtarë janë favoritë për shkak të pjesëmarrjes në Evropë më herët. Zhalgirisi është nëntë herë fitues i kampionatit në Lituani dhe 13 herë fitues i Kupës. Në edicionin e fundit i fitoi të dy trofetë. Në vitet e fundit ka pasur paraqitje të rregullta në garat evropiane dhe do ta kemi vështirë. Por, ne do të luftojmë për të bërë maksimumin, për të tentuar edhe të pamundurën”, tha Daja të mërkurën për KOHËN.

55-vjeçari insiston se për të krijuar përvojë në Evropë fillimisht duhet bërë paraqitjen e parë. E Ballkanin Daja e krahasoi me karrierën e tij si trajner. Ai zbulon se po përpiqet t’ua heqë nga mendja lojtarëve se Ballkani po paraqitet për herë të parë në Evropë. Ballkani ka disa ditë që po përgatitet në Maqedoninë e Veriut për garat evropiane.

“Edhe unë kur kam marrë pjesë në Evropë, edhe unë kam pasur një fillim, si çdo individ, si çdo ekip. Natyrshëm, që ndoshta eksperienca ime mund të jetë një gjë plus për aspektin personal. Por, do të mundohemi t’i motivojmë lojtarët në atë mënyrë që të mos mendojmë se jemi për herë të parë. Do të mundohemi të fokusohemi në aspektin taktik dhe ta bëjmë çdo gjë më të lehtë”, shtoi Daja.

Në duelin e parë ndaj Zhalgirisit, më 5 korrik, Ballkani është vendas, kurse të kthimit do ta luajë një javë më vonë në Lituani. Në rast se e kalon këtë pengesë, atëherë Ballkani do të avancojë në raundin e dytë, ku veçse është njoftuar me kundërshtarin e radhës. Të mërkurën në Nyon të Zvicrës është tërhequr shorti për raundin e dytë të Championsit, por edhe atë të Ligës së Konferencës. Në raundin e dytë Ballkani ka gjasa të përballet me ekipin e njohur nga Suedia, Malmo. Shorti për kundërshtar të Ballkanit ka përcaktuar fituesin e ndeshjes mes Malmos dhe ekipit që triumfon në turneun preliminar të Championsit.

Edhe në këtë ndeshje Ballkani do të jetë vendas. Edhe nëse eliminohet nga Zhalgirisi, Ballkani do ta vazhdojë aventurën evropiane, por në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, niveli i tretë i garave të UEFA-s. Në këtë raund, Ballkani do ta ketë përballë humbësin e gjysmëfinales së raundit preliminar të Ligës së Kampionëve që luhet mes La Fiorita (San Marino) e Inter Club d’Escaldes (Andorra). Megjithatë, Daja nuk dëshiron ta përmendë as kualifikimin tutje në Champions e as eliminimin. Dëshiron që futbollistët të jenë të qetë.

“Ka cilësi të madhe brenda grupit, por jo edhe eksperiencë pasi shumë lojtarë marrin pjesë në garat evropiane për herën e parë. Raundin e dytë nuk e mendojmë, por as ndeshjen e dytë. Jemi të fokusuar në 90 minutat e para në shtëpi me Zhalgirisin. Ta përfundojmë ballafaqimin e parë në mënyrën më të mirë e më pas do të mendojmë për hapin e radhës”, insistoi ai. “Për të mos e ngarkuar ekipin psikikisht, nuk po e përmend as eliminimin e as kualifikimin. Ne jemi duke e analizuar kundërshtarin dhe duam të futemi me ritëm të mirë në ndeshje. Kemi të bëjmë me një kundërshtar që e ka ritmin, sepse po vjen nga kampionati ku po zhvillohen ndeshjet dhe nuk ka pushim”.

Daja ka shtuar se përgatitjet e skuadrës po shkojnë mirë, por grupin final para sezonit të ri do ta vendosë pas ndeshjeve evropiane. Ballkani ka nisur përgatitjet më 2 qershor në Suharekë, ndërsa po vijon qëndrimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Tashmë e ka luajtur një ndeshje miqësore, kundër kampionit të Maqedonisë së Veriut, Shkupit që e mposhti 2:0.

“Jemi përgatitur shumë mirë. Po mundohemi të përshtatemi edhe në kushtet atmosferike. Patëm ndeshje miqësore dhe e kemi planifikuar edhe një miqësore tjetër në dhjetë ditët e para. Lojtarët kanë nevojë të jenë të qetë në aspektin psikik, sepse ngarkesat ishin të mëdha. Nga grupi që kam mbetet të shihet se cilët do të mund ta përballojnë këtë kohë, duke marrë parasysh edhe ndeshjet që do t’i kemi në garat evropiane”, është shprehur Daja.