Një ëndërr për Erdon Dacin u bë realitet të martën mbrëma. Ai shënoi dy gola në fitoren e madhe të ekipit të Konyasporit ndaj gjigantit turk Galatasaray, me rezultatin 4:3. Daci e shënoi golin e parë dhe të dytin për Konyasorin. Në të dyja rastet, Daci shënoi golat e avantazhit për ekipin e tij që bën gara në Superligën e Turqisë në futboll. Për golat e shënuar, Daci thotë se është ndarë i kënaqur, por edhe më shumë i kënaqur është që ekipi i tij fitoi ndaj një skuadre të madhe këtë edicion në kampionat.
“E kam pasur ëndërr të shënoj ose të luaj mirë kundër një ekipi të madh. Ëndrra më është bërë realitet, ndërsa tani më mbetet të punoj më fort për të arritur suksese edhe më të mëdha. Nuk do ta ndali punën, sepse vetëm me punë mund të arrish gjëra të mëdha”, tha Daci të mërkurën për KOHËN, duke zbuluar edhe ëndrrën e tij të madhe. “Do të ishte diçka e madhe për karrierën time nëse do ta pranoja një ftesë për ta përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në Evropian. Shpresoj të shënoj sa më shumë gola gjatë kësaj pjese, për ta fituar mundësinë të luaj për Maqedoninë e Veriut. Për çdo lojtar është ëndërr të luajë në Evropian. Me punë mund t’ia arrij”.
Ai i ka edhe dy gola e një asistim në një ndeshje të Kupës së Turqisë. Sulmuesi 22-vjeçar me rrënjë nga Kosova ka qenë pjesë e rregullt e Shpresave të Maqedonisë së Veriut. Ka shënuar një gol në katër ndeshje, derisa ka luajtur edhe për grupmoshat e tjera të shtetit fqinj.
“Kam qenë pjesë e rregullt te grupmoshat e reja të Maqedonisë së Veriut. Më njohin mirë dhe shpresoj që jam nën vëzhgimin e tyre”, është shprehur Daci.
Daci pohon se ka pasur thirrje të grumbullohet edhe me Shpresat e Shqipërisë. Mirëpo, në fund thotë se janë te Shqipëria që janë tërhequr.
“Kanë qenë vetëm fjalë, nuk ka pasur diçka konkrete. Ata nuk kanë dashur të vazhdojnë më shumë edhe pse unë kam qenë plotësisht i gatshëm. Ua kam dërguar të gjitha dokumentet që m’i kanë kërkuar, por në fund u tërhoqën. Tani i takon së kaluarës, unë shoh përpara dhe besoj se Maqedonia e Veriut do të ma japë mundësinë të paraqitem. Me meritë dëshiroj ta arrij këtë gjë”, ka thënë Daci.
Synon ta vazhdojë karrierën në Itali
Daci ka lindur në Shkup, ashtu si edhe babai dhe nëna e tij. Por, ai i ka rrënjët prej Kosovës. Babanë e ka nga Hani i Elezit, ndërsa nënën nga Kaçaniku.
“Gjyshin e kam nga Hani i Elezit, ndërsa familja e nënës është prej Kaçanikut. Në fshatin e babait nuk ka mbetur askush, kam shkuar për t’i vizituar disa herë familjarët, kurse në Kaçanik shkoj shpesh. Kam kaluar shumë mirë gjithmonë”, ka deklaruar ai.
Nga Shkupi, Daci u largua në vitin 2017. Fillimisht te të rinjtë e Konyasporit. Kalimi tek ekipi U21 i Konyasporit nuk ishte me fat. Daci tregon se e kishte pësuar një lëndim të rëndë. Ai thotë se e lëndoi këmbën.
“Karrierën e kam nisur pa i mbushur shtatë vjet te Vardari. Kam qenë edhe kapiten në ekipin e Vardarit, por në lojën e parë te të rinjtë e Konyasporit u lëndova rëndë. E theva këmbën. Ka qenë një periudhë e vështirë për mua, sepse 4-5 muaj nuk kam mundur të luaj duke ia shtuar kësaj edhe dy muaj që i kam pasur regjim shtrati. Ka qenë periudhë e zorshme, por falë Zotit u ktheva”, ka treguar Daci.
Ai insiston se ka pasur besim se do të kthehet edhe më i fortë dhe për këtë është shumë i lumtur.
“Kam besuar se do të kthehem edhe më i fortë dhe jam kthyer më i fortë. Me punë e dija se do të arrija shumë. Pa punë nuk do të kisha mundur. Kam pasur mbështetjen e madhe nga familja për ta kaluar atë periudhë. Ishte e vështirë për faktin se ishte fillimi për mua. Por, e falënderoj edhe klubin e Konyasporit për durimin dhe tani dua t’ia kthej me suksese”, ka thënë ai.
Por, Daci thekson se synimet i ka më të mëdha. Ai thotë se shumë shpejt synon ta vazhdojë karrierën në ndonjë kampionat edhe më të fortë. E synim e ka Kampionatin e Italisë, që ndryshe njihet si Serie A.
“Kampionati i Italisë mendoj se më përshtatet më së shumti, por karrierës nuk i dihet. Unë do të mundohem të kaloj në ndonjë klub ku do ta gjej hapësirën për të luajtur”, ka pranuar Daci.
Ai tashmë e ka hapësirën te skuadra e Konyasporit. Këtë edicion ka luajtur gjashtë ndeshje, ndërsa sezonin e kaluar shënoi një gol dhe asistoi dy herë në 22 paraqitje në Superligën turke. Edhe në edicionin 2018/19, që ishte i pari për të si senior, Daci ishte i ftuar në dy ndeshje.
“Në fillim të këtij edicioni nuk kam luajtur në fillim, por tani jam i rregullt në fushë. Vlerësimit janë të mëdha nga drejtuesit dhe trajneri, e sidomos pas ndeshjes kundër Galatasarayt. Jam i lumtur që arrita ta ndihmoj ekipin me dy gola. E rëndësishme për mua është që ekipi të fitojë, ndërsa shënimi i golave është punë e imja. Realizimi i dy golave më ka dhënë motiv shtesë”, ka thënë ai.
Te Vardari nuk pati hapësirë të madhe
Daci pranon se nuk ka pritur një shpërthim kaq të shpejtë. Ai thotë se në Turqi është gjithçka më ndryshe se në Maqedoninë e Veriut. Ai karrierën e nisi te Vardari i Shkupit, qytet ku edhe ka lindur. Te Vardari thotë se nuk ka gjetur hapësirën e merituar. Madje, shton se ishte i pranishëm edhe në festën e skuadrës së Vardarit, kur e ka fituar titullin dhe Kupën e Maqedonisë së Veriut.
“Edhe kam besuar, edhe jo... sepse liga e Turqisë është e rëndë, luhet futboll fizik dhe futboll i fortë. Shikoni edhe investimet që i bëjnë klubet këtu në Turqi. Ka lojtarë të nivelit të lartë botëror. Edhe unë dua të jem pjesë e atij niveli dhe me punë mund t’ia dal mbanë”, është shprehur Daci. “Dua të punoj shumë dhe nuk i frikësohem asnjë sfide. Nuk jam frikësuar të marr përgjegjësi edhe te Vardari. Kam marrë ftesë në ekipin e parë edhe pse i ri në moshë, por nuk kam pasur hapësirë shumë të madhe. Nuk më është dhënë mundësia, edhe pse kemi qenë gjenerata më e suksesshme e Vardarit kur kemi arritur të fitojmë titullin dhe Kupën. Kur i kam mbushur 18 vjet jam larguar drejt Turqisë duke mos e kthyer kokën prapa”.
Ai tregon se janë menaxherët që e kanë mundësuar transferimin e tij në Turqi te Konyaspori. Por, falënderon edhe familjen e tij për sakrificën e bërë.
“Familja ime ka sakrifikuar shumë për të ardhmen time. Babai ka punuar në Zvicër për një të ardhme më të mirë, ndërsa nëna ime më ka mbështetur duke mos hezituar asnjëherë të më dërgojë dhe të më presë në stërvitje apo lojë. Falë tyre jam këtu ku jam dhe gjithmonë do t’u jem falënderues. Shpresoj t’ua zbardh fytyrën dhe t’i bëj të mburren me mua”, ka thënë Daci.
Daci është futbollist i sulmit. Thotë se mund të luajë edhe në pozitën e sulmuesit të krahut, por shton se më me qejf luan si qendërsulmues. 22-vjeçari me Konyasporin ka kontratë deri në qershor të vitit 2023. Daci te skuadra turke është bashkëlojtar me sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë, Sokol Çikalleshin, dhe atë të Përfaqësueses së Kosovës, Zymer Bytyqi. Bytyqi i është bashkuar Konyasporit gjatë afatit kalimtar të janarit si futbollist i lirë, pasi në fund të muajit të shkuar i skadoi kontrata me Vikingun e Norvegjisë.