Disa lëvizje të rëndësishme të trajnerëve janë bërë të martën në futbollin kosovar. Fituesja e Kupës, Prishtina, ka njoftuar për vazhdimin e bashkëpunimit me Debatik Currin. Curri ishte trajner i përkohshëm, ndërsa e udhëhoqi skuadrën drejt Kupës së Kosovës.
Fitimi i Kupës erdhi në një periudhë shumë të vështirë për Prishtinën. Skuadra e kaltër ende nuk është licencuar për gara evropiane, ndërsa është në situatë të vështirë financiare. Por skuadra e Currit doli mbi telashet dhe fitoi Kupën e Kosovës.
Për këtë Curri është shpërblyer me kontratë të re, përkatësisht me postin e trajnerit të rregullt. Curri për një periudhë ishte ndihmëstrajner te Prishtina, ndërsa si futbollist ka bërë emër te kjo skuadër.
Ai është shprehur i lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit me Prishtinën. Prishtinën e ka quajtur klub të zemrës, ndërsa ka theksuar se është i privilegjuar që do të jetë në krye të saj.
“Kjo më jep përgjegjësi që të vazhdoj t’i ushtroj detyrat e mia të plota, që këto suksese t’i përsëris edhe në edicionin e ri. Objektivat e skuadrës janë të qarta”, ka thënë Curri.
Ai ka paralajmëruar se të rinjtë do të jenë shtylla e skuadrës. Curri pret që drejtuesit e klubit t’ia sigurojnë edhe futbollistët që i ka kërkuar.
“Jam i bindur se do të vazhdojë rrugën e lavdishme të një klubi si Prishtina”, ka thënë Curri.
Ai mori drejtimin e përkohshëm të Prishtinës pas shkarkimit të Ismet Munishit, në muajin mars. Munishi tani ka mision tjetër – ta kthejë Ferizajn në Superligë.
Munishi të martën firmosi për të paktën dy vjet me Ferizajn, që nuk ia doli të mbetet në elitë. Ferizaj do të luajë në Ligën e Parë.
Munishi e ka vlerësuar Ferizajn si njëri prej klubeve më të organizuara në vend.
“Pavarësisht se do të garojë në Ligën e Parë, jam i bindur se Ferizaj do të funksionojë me logjikën e një klubi kampion të Superligës. Projekti është shumë serioz. Ne synojmë jo vetëm Superligën, por edhe Evropën në një periudhë të afërt”, ka thënë me optimizëm Munishi.
Ndërkohë dy skuadrat që kaluan në Superligë, Liria dhe Feronikeli 74 janë ndarë me trajnerë.
Xhengis Rexhepi udhëhoqi Lirinë e Prizrenit drejt kthimit në Superligë. Madje Liria këtë e bëri përmes barazhit, duke kaluar dy kundërshtarë. Në ndeshjen vendimtare e kaloi Ferizajn. Megjithatë, Rexhepi nuk do të jetë më në krye të ekipit me nam nga Prizreni.
“Po ndahemi me marrëveshje të dyanshme dhe me bindjen që kjo nuk është lamtumirë. Dera për trajnerin Xhengis Rexhepi do të jetë e hapur gjithmonë”, ka shkruar Liria e Prizrenit.
Ndërkohë Granit Begolli është ndarë me klubin nga Drenasi, Feronikeli 74. Skuadra e formuar vjet pas një fuzionimi të dyshimtë, kaloi në Superligë pas vetëm një edicioni në Ligën e Parë.