Sport

Curri i lumtur me seriozitetin që treguan lojtarët

Trajneri i Prishtinës, Debatik Curri, ka thënë se është i lumtur që lojtarët e Prishtinës treguan seriozitet në ndeshjen e parë kampionale përballë Feronikelit ’74. Prishtina fitoi 3:1.

“Sot ju thash lojtarëve që ndeshjet e para janë të vështira. E dhamë maksimumin dhe jam i kënaqur me performancën. Edhe kur ishim baras, kishim shumë raste. Ideja jonë është të luajmë sa më shumë me topin, të bëjmë më shumë aksione. Besoj se ndeshje pas ndeshje, do të bëjmë lojë edhe më të mirë”, theksoi Curri për “ArtMotion” pas ndeshjes.

Ai shtoi se është i lumtur që në skuadër ka lojtarë shumë cilësorë e të rinj në moshë.

“Dëshira jonë është të bëjmë lojëra të mira dhe t’ua japim mundësinë të rinjve. Do ta japim shpirtin në fushë. Mund ta humbim ndonjë ndeshje, por kur e jep maksimumin është më e lehtë”, theksoi Curri, që në edicionin e kaluar e fitoi Kupën e Kosovës me skuadrën “bardhekaltër”.