“Kampionati i fundit Evropian në Portugali përuroi një fitues të ri të përgjithshëm, Federatën e Xhudos së Kosovës. Për disa kjo është befasi e madhe. Për mua nuk është. Ky sukses është fryt i shumë vjetëve pune të përkushtuar, para së gjithash nga vëllezërit Kuka. Trajneri Driton Kuka është zemra dhe shpirti i gjithë këtij suksesi”, ka thënë Branislav Crnogorac. Ai thotë se Driton Kuka është trajneri më i mirë në botë dhe se suksesi i xhudos kosovare është planetar
Në superlativ flet për Kosovën e sidomos për Driton Kukën njeriu kryesor i xhudos në Bosnjë-Hercegovinë, Branislav Crnogorac. Profesori Crnogorac është kryetar i Federatës së Xhudos së Bosnjë-Hercegovinës dhe trajner i suksesshëm në sportin ku Kosova po prek majat.
Crnogorac një kohë ka qenë trajner i Driton Kukës, kreatorit të suksesit të madh sportiv të xhudos kosovare. Ai po ashtu ka hapur dyert për xhudon kosovare në një periudhë të rëndësishme, në vitet e para të pasluftës. Crnogorac ka mundësuar që xhudistët kosovarë të marrin pjesë në gara ndërkombëtare të mbajtura në Bosnjë. Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e parë në Sarajevë.
Kuka nuk e harron kontributin e Crnogoracit për xhudon kosovare. E respekton atë, ndër të tjera, duke udhëhequr çdo vit një kamp të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës. Në atë kamp e dërgon gjithë ekipin.
Niveli i xhudos kosovare tashmë është dukshëm më i lartë se ai i Bosnjë-Hercegovinës. Dhe garat ku kosovarët marrin medalje janë dukshëm më të mëdha se ato që mbaheshin e mbahen në këtë shtet.
Kosova javën e kaluar doli e para në plasmanin përfundimtar në Evropianin e xhudos për seniorë të mbajtur në Lisbonë të Portugalisë. Kosova fitoi dy medalje të arta, një të bronztë dhe kishte dy plasmane në vend të pestë dhe ishte në krye të listës.
Për Branislav Crnogorac, suksesi i jashtëzakonshëm i Kosovës nuk është i befasishëm. Në një intervistë për KOHËN, të martën, ai ka thënë se suksesi i Kosovës në xhudo është fryt i punës së përkushtuar shumëvjeçare.
“Kampionati i fundit Evropian në Portugali përuroi një fitues të ri të përgjithshëm, Federatën e Xhudos së Kosovës. Për disa kjo është befasi e madhe. Për mua nuk është. Ky sukses është fryt i shumë vjetëve punë të përkushtuar, para së gjithash nga vëllezërit Kuka. Trajneri Driton Kuka është zemra dhe shpirti i gjithë këtij suksesi”, ka thënë Crnogorac për KOHËN.
Ai është mjeshtër 9 DAN i xhudos. Për dekadat e bashkëpunimit me Kosovën flet me ndjenjën e krenarisë. Federatës së Xhudos së Kosovës i referohet si federatë vëllazërore, ndërsa veçon Driton Kukën dhe vëllezërit e tij.
Sipas Crnogoracit, dekadat e bashkëpunimit të vazhdueshëm të Bosnjës me Kosovën janë shembull për gjithë regjionin.
“Qasja ndaj xhudos e vëllezërve Kuka është për admirim. Ata i janë përkushtuar plotësisht xhudos. Për ta xhudoja është mënyrë e jetesës dhe më shumë se sport. Vetëm një qasje e tillë mund të prodhojë rezultate të nivelit planetar që sot i ka ekipi i Kosovës në xhudo”, ka theksuar Crnogorac.
Fillimi i bashkëpunimit
Crnogorac kujton sikur të ketë ndodhur mbrëmë fillimin e bashkëpunimit me xhudon kosovare. Takimet e parë me njerëzit e xhudos nga Kosova kanë ndodhur në kampin e xhudos në Zaostrog. Ishte fillimi i viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar.
“Trajneri i atëhershëm, Izet Deçani, rregullisht ka sjellë ekipin e tij nga Peja në kampin veror në Zaostrog. Natyrisht edhe klubet e tjera nga Kosova kanë ardhur te ne në kamp në Zaostrog. Kemi qenë krenarë që nga mori ofertash klubet nga Kosova vinin pikërisht te ne. Ishte ky një konfirmim i llojit të vet që në kampin veror në Zaostrog është punuar profesionalisht, që atmosfera ishte e mirë dhe se është kultivuar shoqëri mes pjesëmarrësve të kampit. E gjithë kjo më bëri përshtypje veçanërisht mua si udhëheqës i kampeve verore. Dihet që sporti gjithnjë lidh njerëzit dhe ndërton shoqëri të reja. Miqësitë që kemi ndërtuar atëherë vazhdojnë edhe sot. Për këtë them se sigurisht që jemi një shembull i ndritshëm jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë dhe nëse doni në botë. Një shembull i dekadave të bashkëpunimit dhe miqësisë së frytshme. Ky është gjithashtu një konfirmim që sporti nuk njeh kufi”, ka thënë Branislav Crnogorac.
Në ekipin që udhëtonte nga Peja, thotë Crnogorac, veçoheshin vëllezërit Sylë, Agron dhe Driton Kuka. Ai kamp gjithnjë ka përfunduar me kampionat të hapur dhe Crnogorac kujton që ylli kryesor ishte Driton Kuka. Thotë se të gjithë janë lutur që Kuka mos t’u bjerë në short.
“Toni që atëherë ka pasur teknikën speciale të hedhjes ‘Tokui-Waza’. Ishte specialist i mbretëreshës së hedhjeve, ‘Uchi-Mata’, dhe e ka ekzekutuar si në libra. Toni më vonë u shndërrua në juniorin më të mirë të shtetit të dikurshëm. Natyrisht me suksese ka vazhduar edhe më vonë në konkurrencë të seniorëve. Vlerësohej të jetë më i miri i kategorisë së tij në shtetin federativ”, ka thënë Crnogorac.

Krenar që ishte trajner i Kukës
Si xhudist trajneri i Kosovës, Driton Kuka, ishte pjesë e klubit Bosna një kohë. Për trajner e kishte Branislav Crnogoracin.
“Kam pasur kënaqësi të veçantë që një kohë isha trajner i Dritonit, që në Ligën federative të Jugosllavisë është paraqitur për klubin në krye të të cilit isha, klubit të xhudos Bosna. Si selektor i Bosnjë-Hercegovinës e kam përfshirë Tonin në ekipin senior për Lojërat Mesdhetare të vitit 1993 në Motpellier. Por për shkak të luftës në territorin e Bosnjë-Hercegovinës, ekipi i xhudos nuk ia doli të udhëtonte në këto Lojëra Mesdhetare. Shoqëria jonë nuk është ndërprerë asnjëherë, por ngjarjet e luftës në hapësirën e ish-shtetit për një kohë të shkurtër kanë ndërprerë bashkëpunimin tonë”.
Pas luftës në Kosovë sërish xhudistët kosovarë nisën të paraqiteshin në kampe në Bosnjë-Hercegovinë. Tashmë Driton Kuka ishte trajner dhe dërgoi nxënësit e tij në Bosnjë.
“Kujtoj se në ekipin që Toni sillte në kampin veror, në mesin e shumë të talentuarve ishte edhe Majlinda Kelmendi. Toni me njohuri, përkushtim dhe durim filloi ndërtimin e ekipit të xhudos së Kosovës. Ai së bashku me ekipin udhëtoi për në kampe e gara. Ne këtu në Bosnjë sërish jemi krenarë për faktin që Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë në Sarajevë, në turneun ‘Sarajevo Open’”, tregon Crnogorac.
Ai është krenar që dikur ka udhëhequr kampet ku ishte Kuka dhe nxënësit e tij. E gëzon shumë fakti që tani Kuka është trajner i kampionëve olimpikë, botërorë e evropianë.
“Po ashtu vlerësohet të jetë trajneri më i mirë në planet”, vazhdon Crnogorac.
Në Federatën boshnjake janë krenarë që Driton Kuka udhëheq kampin e tyre vjetor në cilësinë e instruktorit kryesor. Crnogorac thotë se “për të gjithë në federatë është nder i madh dhe kënaqësi që të presin në kamp fituesit e medaljeve olimpike, botërore e evropiane dhe prej pak ditësh edhe ekipin më të mirë në Evropë”.
Ai pranon se Federata e Xhudos së Kosovës me suksesin planetar u është imponuar të gjithëve dhe se tani ka respekt të madh në Federatën Evropiane të Xhudos, Federatën Botërore dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
“Shfrytëzoj rastin që nga thellësia e zemrës të uroj kolegët, Dritonin dhe Agronin, si dhe Federatën kosovare për suksesin e madh. Është sukses që e lakmojnë Evropa e bota. Të jesh kampion i përgjithshëm i Evropianit është e jashtëzakonshme. Uroj edhe kampionët evropianë, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova dhe medalisten e bronztë, Nora Gjakova. Jam krenar për bashkëpunimin shumëdekadash me Federatën e Xhudos së Kosovës”, thekson Crnogorac.