Vendimi i FIFA-s që përkohësisht të lejojë deri në pesë zëvendësime për skuadër në ndeshje është pritur ftohtë në Amerikë të Jugut. FIFA i kishte propozuar organit përgjegjës për rregulla të futbollit që të lejojë pesë zëvendësime në mënyrë që të përballohet më lehtë ngarkesa pas kthimit të futbollit pas ndërprerjes për shkak të koronavirusit.
Vendimi është fuqizuar të premten, ndërsa vlen deri në fund të këtij viti.
“Ky ndryshim na ka ardhur në mënyrë të befasishme. Nuk është arritur në konsultim me konfederatën tonë”, ka thënë Alejandro Domingues, president i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL).
Dominguez ka thënë se CONMEBOL do të thërrasë një panel të ekspertëve për të analizuar vendimin dhe për të vendosur nëse është i përshtatshëm që të aplikohet në turne të Amerikës së Jugut, si Copa Libertadores.
I takon organizatorëve të garave që të vendosin nëse do të zbatojnë ndryshimin, raporton Koha.net.