Hetuesit financiarë të UEFA-s raportohet se do të rekomandojnë përjashtimin e Manchester Cityt nga Liga e Kampionëve.
Yves Leterme, shefi panelit financiar për klube në UEFA, ka udhëhequr rishikimin e provave rreth disa pagesave në vlerë 60 milionë funte, që dolën nga skandali “Football Leaks” vjeshtën e shkuar.
Mediat angleze raportuan në janar se ky panel po konsideron suspendimin e Cityt për shkak të shkeljes së Fair-Playt Financiar, por kjo ishte mohuar nga “Qytetarët”.
Tani “New York Times” raporton se hetimet do të përmbyllen këtë javë, ose javën e ardhshme, dhe pritet rekomandimi për përjashtim të Cityt për të paktën një sezon.
UEFA s’ka pranuar të komentojë për raportimet.
Sipas dokumenteve të rrjedhura vitin e shkuar, 59.5 milionë funte që supozohej të ishin transferuar nga sponsori “Etihad Airways” ishin paguar te City nga “Abu Dhabi United Group”. Me këto para raportohet se ishte transferuar Riyad Mahrez nga Leicesteri.