Sport

City mund të bëjë hap vendimtar drejt titullit

Manchester City në fundjavë mund të bëjë hap vendimtar drejt titullit të tretë rresht në Premier League.

City të shtunën prej orën 16:00 luan në shtëpi kundër Leeds Unitedit, në kuadër të xhiros së 35-të të elitës së futbollit anglez.

City është i pari në tabelë me 79 pikë, një më shumë se Arsenali. “Qytetarët” e drejtuar nga Pep Guardiola e kanë edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

Skuadra e Leedsit udhëhiqet nga trajneri veteran, Sam Allardyce, i cili do të mundohet t’i prishë punë Cityt, që i ka fituar nëntë ndeshjet e fundit të ligës.

Allerdyce, 68-vjeçar, ka vetëm katër ndeshje për ta mbajtur në elitë Leedsin dhe të fitojë rreth tre milionë euro.

Allardyce erdhi në vend të Javi Garcias, i cili në pesë ndeshje mori vetëm një pikë, ndërsa Leedsi pranoi 18 gola. Leedsi është i 17-ti me 30 pikë, sa i kanë edhe Leicesteri dhe Nottinghami.

Skuadra e vendit të dytë, Arsenali, ende ka shpresa se mund ta kthejë vendin e parë në tabelë e të shpallet kampion pas një kohe të gjatë.

“Revolveristët” të dielën nga ora 17:30 luajnë në udhëtim te Newcastle United, në “St James’ Park”.

Newcastle po e kërkon daljen në Ligën e Kampionëve për herë të parë në dy dekada.

Në mënyrë që Arsenali të mbetet në garë për të triumfuar në ligë pas 19 vjetësh, duhet që ta fitojë duelin e vështirë në udhëtim te Newcastle.

E veçanta e këtij ballafaqimi është se para një edicioni dy xhiro pa përfunduar kampionati Arsenali ishte mposhtur nga Newcastle 2:0.

Si rezultat i asaj disfate, Arsenali nuk arriti në zonën “Champions”.

“Nuk e harrojmë ndeshjen që e kishim atje edicionin e kaluar. Duhet të jem i sinqertë, na shkatërruan. Ishin shumë, shumë më të mirë dhe dëshironin më shumë fitoren. Duhet të udhëtojmë e t’u tregojmë se pse jemi këtu dhe se jemi të gatshëm”, ka thënë Granit Xhaka të premten.

Newcastle i ka fituar tetë nga nëntë ndeshjet e fundit në ligë dhe është afër të përfundojnë në top-katërshe. Mban vendin e tretë me 65 pikë, dy më shumë se Manchester Unitedi i vendit të katërt.

Garë e fortë do të zhvillohet edhe për mbetje në elitë.

Skuadrat nga vendi i 16-të deri në vendin e 18-të, Leicester City, Leeds United dhe Nottingham Forest kanë nga 30 pikë.

Evertoni në pozitën e parafundit ka 29 pikë, kurse Southamptoni ka 24 pikë.