Enrico dhe Federico Chiesa u bënë të parët babë e bir që shënojnë në fazën finale të kampionateve evropiane.
Federico e shënoi golin e parë në kohën shtesë për Italinë në 1/8 e finales të Euro 2020. Italia e mposhti Austrinë në “Wembley” me rezultatin 2:1, të shtunën mbrëma.
23-vjeçari arriti në këtë turne me pritshmëri të mëdha pas sezonit të parë të shkëlqyeshëm me Juventusin. Kishte informata se ai do të ishte titullar në skuadrën që drejtohet nga Roberto Mancini.
Megjithatë, Domenico Berardi ishte i preferuari i Mancinit për dy ndeshjet e para. Vendin e titullarit Chiesa nuk e siguroi as kundër Austrisë, pavarësisht se ishte “Lojtar i Ndeshjes” në duelin kundër Uellsit. Bëhet fjalë për ndeshjen e tretë të grupit.
“Nuk është koha për ndryshime, vetëm relaksim, merre shtruar”.
Kështu është teksti i këngës “Baba dhe Bir”, nga Cat Stevens. Sidoqoftë, me Italinë që kishte ngecje në rrjedhshmëri në fazën e sulmit kundër Austrisë, ndryshe nga ajo që u pa në fazën e grupeve, Mancini, i cili kishte luajtur bashkë me Enricon te Sampdoria në edicionin 1995/96, e inkuadroi në lojë Federico Chiesan në minutën e 84-t.
Ai e shpagoi besimin e selektorit në vazhdime. Sulmuesi e kontrolloi topin me kokë në “shtyllën e dytë”, e kaloi bukur një lojtar dhe me gjuajtje të fuqishme e dërgoi topin në rrjetë për 1:0.
“Ne të gjithë dëshirojmë të luajmë, të tregojmë kualitetin, të dalim në fushë dhe ta japim më të mirën për ekipin përfaqësues dhe kjo është ëndërr e fëmijërisë”, tha Chiesa për “Euro2020.com”, pas ndeshjes.
“Trajneri zgjedh njëmbëdhjetë nga ne, por, siç kam thënë edhe në të kaluarën, ne jemi 26 lojtarë të klasit botëror dhe e treguam një gjë të tillë. Për këtë arsye trajneri kërkon nga ne në stol që ta përcjellim lojën me kujdes, të hyjmë dhe ta bëjmë diferencën”.
Chiesa e bëri pikërisht këtë. Matteo Pessina e vazhdoi shembullin.
“Djali i Enricos, Federico, do të bëhej lojtar i madh”, kishte thënë sulmuesi Hernan Crespo në një intervistë dhjetë vjet më parë.
“E kam shikuar atë derisa luante në oborr në shtëpinë e vet qëkur ishte fëmijë. Është e jashtëzakonshme, ai i ka të njëjtat lëvizje si babai i tij”, është shprehur ish-sulmuesi dhe ish-bashkëlojtari i Enricos te Parma.
Edhe Enrico kishte shënuar në tokën angleze, në “Anfield”, në “Euro 1996”.
Italia luante kundër Republikës së Çekisë dhe pas golit të Pavel Nedvedit herët gjatë ndeshjes ishte Chiesa i cili i barazoi shifrat atë ditë. Italia mbeti me dhjetë lojtarë kur Luigi Apolloni u ndëshkua me të kuq dhe “Azurët” e humbën ndeshjen 2:1. Ai rezultat u përcoll me eliminim nga faza e grupeve.
“Do të jesh këtu edhe nesër, por ëndrrat ndoshta nuk do të jenë”, është një tjetër rresht i këngës së Cat Stevensit.
Ëndrra e Italisë në “Euro 2020” ende është gjallë. Falë edhe Chiesas së ri.