Sport

Chelsea synon ta rrëzojë edhe Cityn nga froni

Pasi ia shkaktoi Tottenhamit humbjen e parë dhe e largoi nga lidershipi, Chelsea synon ta rrëzojë nga froni edhe kampionin në fuqi, Manchester Cityn.

Përballja e Chelseat dhe Cityt do të jetë edhe derbi i xhiros së 12-të në Premier League të Anglisë. Ndeshja luhet të dielën në stadiumin “Stamford Bridge” dhe nis në orën 17:30. Pas humbjes së Tottenhamit nga Chelsea, skuadra e Cityt është ngjitur në pozitën e parë në tabelë me 27 pikë të mbledhura.

Skuadra e Pep Guardiolas në këtë përballje futet pas formës fantastike që e ka treguar në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ku ka regjistruar po aq fitore.

Në anën tjetër Chelsea që ka 15 pikë dhe zë vendin e dhjetë në tabelë, po synon t’ia shkaktojë Cityt humbjen e tretë këtë edicion në kampionat. Në fakt, në përballjet mes vete, City është superior ndaj Chelseat. E ka mposhtur në pesë ndeshjet e fundit, në të cilat ka shënuar në total 9 gola dhe nuk ka pranuar asnjë.

Dueli i parë i kësaj xhiroje është ai ndërmjet Wolverhamptonit dhe Tottenhamit, i cili luhet të shtunën prej orës 13:30. Tottenhami, i cili pësoi humbjen e parë në xhiron e shkuar, zë vendin e dytë në tabelë me 26 pikë dhe kërkon të rikthehet te fitorja në udhëtim te Wolvesi.

Tek fitorja në këtë xhiro do të synojë të kthehet edhe skuadra e Arsenalit që xhiron e shkuar pësoi në udhëtim te Newcastle Unitedi. Arsenali, i cili është i katërti në tabelë me 24 pikë, e pret në shtëpi skuadrën e Burnleyt. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën prej orës 16:00.

Të shtunën, në të njëjtën kohë, do të luajë edhe Manchester Unitedi që në stadiumin “Old Trafford” përballet me Lutonin. Ndërkohë, Liverpooli që ka 24 pikë dhe renditet i treti në tabelë, luan në shtëpi kundër skuadrës së Brentfordit. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën prej orës 15:00, në të cilën luhet edhe dueli mes West Ham Unitedit e Nottingham Forestit.