Sport

Chelsea – Man. Utd, ndeshja e madhe në Premier League

Lajmi i madh para ndeshjeve të Premier Leagues këtë vikend nuk është se kush me kë do të luajë, por kush nuk do të jetë te Manchester Unitedi.

Manchester Unitedi të enjten njoftoi se Cristiano Ronaldo është lënë jashtë skuadrës për vizitën e së shtunës te Chelsea, pas një veprimi të portugezit që u kritikua shumë.

Vendimi i Ronaldos për të hyrë në dhomat e zhveshjes u bë i qartë më vonë. Ai nuk deshi të hynte në lojë si zëvendësues në fitoren e Unitedit 2:0 ndaj Tottenhamit, të mërkurën.

Fakti që Unitedi po e luan lojën më të mirë pa portugezin do të thotë se mungesa e Ronaldos nuk do të ndihet aq shumë në udhëtimin në “Stamford Bridge”.

Kjo ndeshje pritet të dhurojë spektakël. Luhet të shtunën nga ora 18:30 dhe i takon xhiros së 13-të të Premier Leagues.

Chelsea është përmirësuar shumë që nga ardhja e Graham Potter në krye të skuadrës, ndërsa Unitedi ngadalë po e gjen identitetin nën drejtimin e Eric ten Hagut.

Çështja më e madhe për Chelsean është ta gjejë zëvendësuesin e Reece Jamesit, i cili ka lëndim në gju. Ai do ta humbë edhe Botërorin.

Nëse merren për bazë statistikat, Chelsea do të ketë telashe. Ndaj Unitedit, Chelsea nuk ka fituar në nëntë ndeshje të Premier Leagues. Ka barazuar gjashtë herë, ndërsa ka pësuar tri disfata. Ndërkohë, “djajtë e kuq” janë pa disfatë në gjashtë vizitat e fundit te Chelsea në të gjitha garat.

Dita e shtunë nis me ndeshjen e orës 13:30. Liverpooli e kërkon fitoren e tretë rresht në udhëtim te skuadra e vendit të fundit, Nottingham Foresti.

Manchester City, kampioni në fuqi i Anglisë, luan në shtëpi nga ora 16:00 kundër Brightonit.

Ndeshje të vështirë në këtë fundjavë do të ketë Tottenhami që u mposht në “Old Trafford” në mesjavë. Antonio Conte me lojtarët e tij luajnë në shtëpi kundër Newcastlet, të dielën nga ora 17:30.

Richarlisoni mungon te Tottenhami, por Emersoni kthehet pas suspendimit.

Newcastle është ngjitur në vendin e gjashtë dhe ka 18 pikë nga 11 ndeshje.

Disfata e Aston Villas nga Fulhami të enjten i ka kushtuar Steven Gerrardit me shkarkim. Aston Villa luan kundër Brentfordit të dielën nga ora 15:00.

Ndërkohë, lideri i tabelës, Arsenali, viziton Southamptonin të dielën, po ashtu nga ora 15:00.

Xhiroja e 13-të në elitën e futbollit anglez mbyllet të hënën me ndeshjen West Ham United – Bournemouth, që luhet nga ora 21:00.