Sport

Chelsea – Liverpool, derbi i xhiros së parë

Chelsea – Liverpool do të jetë derbi i xhiros së parë në Premier Leaguen e Anglisë.

Ky ballafaqim do të luhet të dielën në “Stamford Bridge” dhe nis në orën 17:30.

Te Chelsea mund të debutojnë në ndeshje zyrtare Nicolas Jackson dhe Axel Disasi, por Christopher Nkunku, i cili u transferua nga Leipzigu, mund të jetë jashtë fushës së gjelbër deri në muajin janar për shkak të lëndimit në gju.

Wesley Fofana është mungesë tjetër për kohë të gjatë, pasi muajin e kaluar u operua në gju.

Ndërkohë, Benoit Badiashile është duke u shëruar nga zgjatja e muskulit.

Trajneri i ri i Chelseat, Mauricio Pochettino, ka bërë të ditur së fundmi se në portë do të jetë Kepa Arrizabalaga, pavarësisht transferimit të Robert Sanchezit.

Te skuadra e Liverpoolit pritet të debutojnë Dominik Szoboszlai dhe Alexis Mac Allister.

Për shkak të lëndimeve te kjo skuadër do të mungojnë dy mesfushorët, Thiago Alcantara dhe Stefan Bajçetiq.

Të gjashtë ndeshjet e fundit në ligë dhe në kupë mes dy gjigantëve janë mbyllur baras, përfshirë edhe kohët e rregullta të finaleve në Kupa në vitin 2022. Në ekzekutimet e penalltive më të suksesshëm ishin lojtarët e Liverpoolit.

Hera e fundit kur Chelsea ishte nikoqir i Liverpoolit në ndeshjen hapëse të elitës së futbollit anglez ishte viti 1937. “Blutë” kishin fituar me rezultatin 6:1.

Nënkampioni i edicionit të kaluar, Arsenali, kampanjën e re e nis në shtëpi kundër Nottingham Forestit, të shtunën nga ora 13:30.

Tottenhami të dielën në orën 15:00 luan në udhëtim te Brentfordi, kurse Manchester United – Wolverhampton e mbyll xhiron e parë, të hënën. Ndeshja nis në orën 21:00.