Sport

Chelsea e Liverpooli në mision të vështirë

Skuadra e Chelseat ka një mision të vështirë para vetes, kur të dielën të përballet në “Stamford Bridge” me Arsenalin. Në derbin e Londrës, që i takon xhiros së 15-të në Premier League dhe nis në orën 13:00, Chelsea do të tentojë ta ndalë hovin e Arsenalit këtë edicion. Arsenali ka një ecuri fantastike në kampionat dhe është lider me 31 pikë të tubuara, dy më shumë se Manchester City që e ndjek hap pas hapi. Skuadra e Mikel Artetas ka dhjetë fitore karshi një barazimi dhe një disfate, ndërsa Chelsea do të përpiqet t’ia shkaktojë humbjen e dytë kampionale. Me disfatë eventuale nga Chelsea, Arsenali mund ta humbë pozitën e parë në tabelë, duke pasur parasysh se City një ditë më herët e pret në shtëpi Fulhamin.

Chelsea kërkon të kthehet te fitorja pas humbjes së thellë që e pësoi vikendin e shkuar në udhëtim te Brightoni, ku pësoi me shifrat 4:1. Ndërkohë, Arsenali ishte bindshëm më i mirë se Nottingham Foresti, të cilin e mposhti 5:0.

Të dielën prej orës 17:30 do të luhet edhe një derbi tjetër në qytetin e Londrës. Skuadra e Tottenhamit e pret Liverpoolin. Trajneri Juergen Klopp i ka kërkuar Liverpoolit të jetë gati për duelin e vështirë ndaj Tottenhamit, në betejën e tij për ta shpëtuar sezonin e ekipit nga “Anfield Road”. Liverpooli ka ngecur në vendin e nëntë në Premier League pas një serie negative, ku ka pësuar humbje në dy ndeshjet e fundit kampionale. Liverpooli është tetë pikë larg pozitës së katërt në Premier League, ndërsa ka dhjetë pikë më pak se Tottenhami që renditet i treti dhe po e sfidon titullin e kampionit këtë edicion. Një humbje eventuale nga Tottenhami, do t’i shuante tutje gjasat e Liverpoolit për kualifikim në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Liverpooli në këtë ndeshje do të jetë pa James Milnerin që u lëndua ndaj Napolit, ndërsa Tottenhamit do t’i mungojë sulmuesi Heung-Min Son.

Ndërkohë trajneri Unai Emery do të debutojë në krye të Aston Villas në duelin kundër Manchester Unitedit, që luhet të dielën prej orës 15:00 në stadiumin “Villa Park”.