Talenti i Dijon Kamerit ishte vërejtur që në moshë të hershme. Shpërthimi i tij erdhi në “UEFA Youth League”, në edicionin 2021/2022, ndërsa rritja vazhdoi me debutim në Ligën e Kampionëve.
Kameri luan me Salzburgun austriak. Futbollisti emocionohet kur kujton atë periudhë, si dhe paraqitjet ndaj ekipeve e lojtarëve të mëdhenj.
Të luash ndaj lojtarëve si Mohamed Salah, Virgil van Dijk, Thiago Alcantara, Roberto Firmino është shumë e veçantë. Të paraqitesh në skenën e Ligës së Kampionëve është ëndërr e çdo futbollisti. Kështu thotë Kameri, talenti 19-vjeçar i Salzburgut, në një bisedë për KOHËN.
Kameri është mesfushor me tipare sulmuese dhe ditët e pushimit i kalon në Kosovë. Gjatë pushimit të shkurtër stërviti me Ardian Sallahun, trajnerin e fitnesit dhe performancës, me program të veçantë të dhënë nga klubi.
Në tetë ndeshje të Ligës së Kampionëve për të rinj realizoi dy gola e dhuroi dy asistime. Salzburgu arriti deri në finale, ku u mposht nga Benfica.
“Kam pasur shumë emocione, sepse nuk është lehtë të hysh në finale. Është ‘Champions League’ e të rinjve. Luan kundër skuadrave më të mira të gjithë Evropës. E kemi pasur ekipin shumë të mirë. Dhe gëzohem, sepse ka ecur mirë. Edhe unë kam bërë disa gola, disa asistime. Ka qenë super sezon në ‘Youth League’”, kujton Kameri.
Ekipi i të rinjve të Salzburgut kishte eliminuar Zilinan, PSG-në dhe Atletico Madridin në rrugën drejt finales. Ndaj skuadrës së madhe spanjolle, Kameri shënoi supergol dhe asistoi në një tjetër.
“Goli në gjysmëfinale kundër Atleticos ka qenë shumë i mirë. Ka qenë edhe familja ime aty. Ajo është gjë edhe më e mirë pastaj”, vazhdon tutje talenti i futbollit.
Kameri ndihet krenar për atë që ka bërë deri tani, por nuk e ka ndërmend të ndalet. E di që është ende në fillim të karrierës. Synon të bëhet edhe më i mirë.
Humbja në finale të “Championsit” për të rinj nuk ia uli ritmin. Përkundrazi, ai punoi edhe më shumë dhe mori vëmendjen e ekipit senior të gjigantit austriak.
Pas përfundimit të edicionit 2021/2022 me të rinjtë e Salzburgut dhe Lieferingun, ekipin zhvillues të Salzburgut, Kameri ishte grumbulluar me ekipin e parë për përgatitje.
U zhvilluan disa ndeshje miqësore, por njërën prej tyre Kameri do ta mbajë mend gjatë. Atë kundër Liverpoolit, më 27 korrik të vitit 2022. Ishte inkuadruar në minutën e 75-të.
“Unë gjithmonë kur hyj në fushë dëshiroj të kënaqem. Ka qenë shumë mirë sepse kam luajtur kundër Thiago Alcantaras, e lojtarëve të tij të cilët i kam parë vetëm në televizor. Dhe të luash kundër tyre është diçka super. Por ka qenë mirë, kam luajtur mirë dhe ka qenë hera e parë që kam luajtur në një stadium të mbushur plot me tifozë, 30 mijë. Më mirë nuk ka. Kështu duel nuk kam pasur, por kam hyrë në driblim, kundër 2-3 lojtarëve, e pastaj më rrëzoi Alcantara nga prapa. Ka qenë diçka e bukur, sepse të gjithë e dinë se çfarë lojtari është Thiago. Por ky është futbolli, çfarë të bëjmë. Nuk i thashë asgjë, sepse kam respekt për lojtarë”, tregon Kameri emocionet e atij ballafaqimi.
Një muaj më vonë, Kameri kishte shënuar e asistuar në dy golat e fundit në fitoren 6:0 në udhëtim te Lustenau në Bundesligën austriake. Menjëherë në ndeshjen e radhës kishte realizuar edhe në Kupën e Austrisë kundër Union Gurtenit.
Ishte një javë e përkryer për Kamerin, që vlerësohet shumë në Austri.
Kameri thotë se me topin ka qenë gjithmonë i afërt. Që prej moshës 6-vjeçare është pjesë e Red Bull Salzburgut. Thotë se gjithmonë ka qenë prej më të mirëve në skuadër dhe ndeshjet e shumta kanë bërë që ta ketë më të lehtë kalimin tek ekipi i parë.
Tregon se kishte marrë komplimente edhe nga Valon Berisha.
“Ata me të cilët luaj në ekip më kanë thënë, bravo, por është diçka normale. Pastaj edhe Valon Berisha kur ka qenë në Red Bull më thoshte se jam duke luajtur shumë mirë, vazhdo, ajo është diçka super për një lojtar të ri si unë”.
Puna e madhe dhe e vazhdueshme, pavarësisht lëndimeve që ka pasur, ka bërë që Kameri të arrijë të paraqitet në Ligën e Kampionëve.
Debutoi në “Champions” ndaj shtatë herë kampionit të Evropës, Milanit, në ndeshjen që ishte mbyllur 1:1. Kishte luajtur për 64 minuta më 6 shtator të vitit 2022.
“Kur e mendoj atë moment, më vijnë emocionet, sepse ka qenë diçka shumë e madhe për mua dhe për familjen time. ‘Champions League’ është gara më e fortë ku mund të luash. Pastaj isha titullar edhe kundër Milanit, çfarë mund të kërkoj më shumë. Gëzohem që luajta mirë, kemi barazuar 1:1. Më mirë nuk ka se ku shkon”, thotë Kameri, i cili ka mbetur i mahnitur edhe në momentin kur ka dëgjuar himnin e Ligës së Kampionëve.
Kameri në “Champions” ka luajtur edhe në barazimin 1:1 në “Stamford Bridge” kundër Chelseat. Në edicionin 2022/2023 i kishte katër ndeshje në grupet e Championsit, nga dy me Milanin e Chelsean.
Edhe në edicionin aktual të Ligës së Kampionëve e kishte një paraqitje në fazën grupore. Luajti nëntë minuta ndaj Benficas në kuadër të Grupit H.
Kameri për synim e ka që të bëjë sa më shumë paraqitje me Salzburgun e më pas të mendojë për ndonjë transferim të madh.
Ai është mirë fizikisht, por në të kaluarën lëndimet e kanë lënë jashtë fushës për periudha të gjata. Por nuk është dorëzuar asnjëherë.
“E kam mentalitetin shumë të fortë, kurrë nuk dua të ndalem. Edhe nëse lëndohem, dua të kthehem edhe më i fortë në fushë. Ajo është, dhe e kam edhe karakterin shumë të fortë. Gjithmonë dua të jem më i miri. Kjo është arsyeja që kam ardhur deri këtu”, deklaroi Kameri.
Ai e di se sa shumë punë duhet për të arritur në majë të futbollit. Mesazhi i tij për të rinjtë e tjerë është se duhet të punojnë fort duke mos e harruar ëndrrën për t’u bërë futbollist.