Sport

Kthehet çështja e Superligës Evropiane, por pa anglezët

Organizatorët e projektit të Superligës Evropiane prezantuan të enjten një propozim të ri të premtuar prej kohësh për një garë me shumë divizione që përfshin deri në 80 ekipe evropiane të futbollit dhe që funksionojnë jashtë autoritetit të UEFA-s. Duke vendosur 10 parime për projektin, kompania “A22 Sports Management” me bazë në Spanjë tha se kishte biseduar me "gati 50 klube evropiane" për propozimin e ringjallur. Është e paqartë nëse ndonjë klub e ka mbështetur publikisht.

Dokumenti pason një pengesë fillestare ligjore për kompaninë “A22” në dhjetor në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg në një sfidë ndaj asaj që pretendon se është kontrolli monopol nga UEFA, organi qeverisës i futbollit evropian. Avokati i përgjithshëm, Athanasios Rantos, propozoi atëherë që gjykata të njohë autoritetin e UEFA-s mbi garat evropiane të futbollit.

Një vendim zyrtar nga gjykata pritet para fundit të sezonit. Mbështetësit e Superligës Evropiane kanë zbuluar se duan të lansojnë një version të ri të projektit që u rrëzua dy vjet më parë: një garë me shumë divizione, me 60 deri në 80 skuadra pa anëtarë të përhershëm dhe një minimum prej 14 ndeshjesh për klub, në sezon.

“Objektivi ynë është të paraqesim një projekt të qëndrueshëm sportiv për garat evropiane të klubeve, të disponueshëm për të paktën të 27 shtetet anëtare të BE-së, sa më shpejt të jetë e mundur pas marrjes së vendimit”, tha kompania “A22” të enjten.

Dokumenti ofron detaje mbi një ide të konceptuar për herë të parë nga drejtuesit e kompanisë “A22” në vitin 2021 se propozimi i tyre i ardhshëm do të ishte një konkurrencë më gjithëpërfshirëse me shumë nivele që përfshin më shumë vende të Evropës.

“Pjesëmarrja duhet të bazohet në meritat vjetore sportive dhe nuk duhet të ketë anëtarë të përhershëm”, vazhdoi deklarata e kompanisë “A22”.

12 klube nga Spanja, Italia dhe Anglia nisën planin origjinal të shkëputjes nga UEFA në muajin prill të vitit 2021. Ky projekt kërkonte një ligë me 20 ekipe, me 15 themelues të saj të mbrojtur nga rrëzimi. Kjo ide u mbështet edhe nga banka “J.P. Morgan Chase”, e cila më vonë kërkoi falje për një “gjykim të gabuar”. Projekti u rrëzua brenda dy ditësh mes një reagimi të ashpër nga UEFA, tifozët dhe ligjvënësit, të cilët në Angli kërcënuan legjislacionin për ta kundërshtuar atë. Vetëm Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi e mbështetën publikisht çështjen në gjykatën në Luksemburg.

Klubet angleze ende mendohet se nuk kanë gjasa t'i bashkohen një plani të ringjallur të shkëputjes. Apeli ndërkombëtar dhe fuqia financiare e Premier Leagues është rritur vetëm në dy vjetët e fundit. Hendeku midis Anglisë dhe pjesës tjetër të Evropës - i tipizuar nga dominimi i Premier Leagues në afatin kalimtar të janarit dhe humbjet rekord të postuara vitin e kaluar nga Barcelona dhe Juventusi - mund t’i bindë zyrtarët e ekipeve në të gjithë Evropën që të gjejnë mënyra alternative për të konkurruar. Që çdo shkëputje nga UEFA të ketë sukses, ka të ngjarë të ketë nevojë për mbështetje edhe nga klubet e ligave më të vogla si Holanda, Portugalia dhe Skocia.

“Klubet pjesëmarrëse duhet të qëndrojnë plotësisht të përkushtuara ndaj turneve vendas”, shtoi kompania “A22”, “siç bëjnë aktualisht”.

Në të vërtetë, projekti i ri i Superligës Evropiane është bërë për ta zëvendësuar tërësisht Ligën e Kampionëve që e organizon UEFA.