Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vlerëson se fillimisht duhet të përfundohen stadiumet në të cilat po punohet e më pas të vendoset për stadiumin nacional. Ai nuk shprehet i bindur se Kosovës i duhet stadiumi nacional, ndonëse këtë nuk e thotë direkt. Kosova ka aktualisht vetëm një stadium të pranuar për ndeshje evropiane. Me gjithë investimin e milionave, infrastruktura sportive mbetet larg prej standardeve të synuara
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, pajtohet që gjendja me infrastrukturën sportive në vend nuk është e duhura.
Në një intervistë për KOHËN, Çeku ka folur me theks të veçantë për stadiumin nacional, lënda për të cilin ende ndodhet në Prokurori. I pari i MKRS-së ka folur edhe për stadiumin e Gjilanit dhe atë në Mitrovicë, “Adem Jashari”.
Çeku nuk ka dhënë data, por beson se brenda 3-4 vjetëve do të mbyllet çështja e infrastrukturës në shumë arena ku po punohet ose duhet të punohet.
Për stadiumin nacional, të cilit ende nuk i është vënë gur themeli, Çeku ka thënë se duhet të mendohet mirë nëse është momenti për të filluar ndërtimin e tij.
Sipas ministrit, vetëm mirëmbajtja vjetore do të kushtonte mbi 10 milionë euro, kurse në total për ndërtimin e stadiumit nacional duhen mbi 100 milionë euro.
“Studimi i fizibilitetit për stadiumin nacional thotë se mirëmbajtja vjetore shkon mbi 10 milionë euro, ndërkaq ndërtimi 70-80 milionë euro, me çmime të asaj kohe. Dhe llogaritur tani me rritjen e materialit ndërtimor, mbi 100 milionë euro. Tani, a i kemi 100 milionë euro për atë stadium, apo mjetet që i kemi t’i shfrytëzojmë për t’i mbyllur këto që i kemi të hapura. Ta bëjmë Gjilanin me stadium, Mitrovicë ta përfundojmë, Pejën, Gjakovën dhe Ferizajn ta nisim pasi nuk ka stadium. Mbase ‘Fadil Vokrrin’ ta zgjerojmë dhe paralelisht të ulemi pastaj dhe të vendosim a kemi nevojë për stadiumin nacional, dhe nëse përgjigjja është po, natyrisht që e vazhdojmë atë projekt”, tha Çeku. Ai mendon se strategjia e sportit, në të cilin dokument po punohet, do të përcaktojë shumë çështje.
Çeku thekson se për momentin prioritet është të përfundohen stadiumet nëpër të cilat po punohet për vite të tëra.
“Për momentin kërkesa për stadiumin e Gjilanit është shumë e madhe dhe nevoja e urgjenca janë shumë të mëdha. Kemi nevojë Gjilanin ta përfundojmë për shkak të klubeve të Gjilanit, traditës, por edhe për shkak të zvarritjeve të jashtëzakonshme me atë projekt dhe ne duhet ta mbyllim atë projekt. Mitrovica ka ngelur shumë keq, sepse janë disa procedura që nuk janë përfunduar me kohë, leja e ndërtimit për një pjesë. Çështja pronësore me një pjesë tjetër. Këto janë presioni më i madh që unë e ndiej sot që duhet t’i kryejmë. Ti kryejmë njëherë këto dhe paralelisht ta mendojmë edhe stadiumin nacional. Kur e kanë nisur stadiumin nacional, kushdo që e ka nisur, gjendja ka qenë shumë e keqe. Asnjë qytet me stadium të përfunduar, përjashto ‘Fadil Vokrrin’ dhe çka kanë thënë në krejt këtë hallakamë: hajt po e nisim edhe një stadium më të madh se këta të tjerët”, thotë ministri Hajrulla Çeku.
Diskutime të shumta, stadiumi në letër
Vendimi i parë për stadiumin nacional u mor në mars të vitit 2014. Por është bërë pak për ndërtimin e tij. Madje numri i atyre që dyshojnë nëse ky stadium i duhet Kosovës shkon duke u rritur.
“Ka pasur edhe banalitet të llojeve të ndryshme, deri se me cilën parti je, ku po e çon si lokacion, dhe nuk besoj që qasja ka qenë shumë serioze. Unë asnjëherë nuk po e kundërshtoj. Unë mendoj që Kosova e meriton një stadium nacional, sepse e ka simbolikën e vet. Por mbi të gjitha duhet të jemi të arsyeshëm, të jemi racionalë dhe ato që i kemi më imediate t’i kryejmë njëherë dhe unë mendoj që kur t’i rehatojmë qytetet tona, për një periudhë tre-katërvjeçare mund t’i mbyllim krejt këto, ne mund ta mendojmë edhe çështjen e stadiumit nacional. Por asnjëherë nuk po e them që të presim tre-katër vjet e pastaj të vendosim”, shprehet i matur në deklarata ministri Çeku.
Ai tregon se lënda e studimit të fizibilitetit për stadiumin nacional është në Prokurori. Sipas Çekut, pa përfunduar procesi gjyqësor nuk do të ketë vazhdim të projektit.
“Dyshimet për keqpërdorime tash janë në Prokurori, në hetuesi, në Polici dhe ata duhet të na japin një përgjigje. Madje, proceduralisht unë nuk mund ta vazhdoj më tutje atë projekt, prej atij fizibiliteti, edhe nëse themi që 10 milionë për mirëmbajtje i gjenerojmë. Për momentin ai fizibilitet është duke u shqyrtuar nga Prokuroria për keqpërdorime dhe tani edhe po të duam nuk mund të lëvizim nga ai pozicion pa na dhënë ata një përgjigje. Janë shpenzuar edhe miliona të tjerë në infrastrukturën sportive që sot ose ka mbetur pa përfunduar, ose është në gjendje të degraduar dhe unë po them që mos ta nisim një gjigant, ku do të investojmë edhe disa miliona të tjerë dhe prapë nuk e mbërrin efektin e vet”, thotë ministri Çeku.
Ai vlerëson se gjendjes jo e mirë në infrastrukturë ka të bëjë edhe me planifikimet joadekuate, me buxhetin joadekuat. Projektimi, sipas tij, është bërë në mënyrën më skandaloze të mundshme.
“Shumë shpesh na kanë dalë çështje pronësore rrugës gjatë ndërtimit. Operatorët që janë angazhuar aty nuk janë më të mirët, janë ata që veç kanë aplikuar të marrin një tender edhe me çmime të ulëta. Pra, një zinxhirë veprimesh joserioze që mua sot më kanë detyruar që kohën më të madhe të merrem me ato projekte që i kam trashëguar sesa të merrem me nisjen e projekteve të reja”, u shpreh Çeku.
Stadiumi në Gjilan
I pari i MKRS-së ka treguar për KOHËN se Stadiumi i Gjilanit do të përfundohet, por nuk ka garanci që do ta marrë licencën e UEFA-s.
“Problemet që i ka Stadium i qytetit në Gjilan është edhe dimensioni hapësinor se ku ka nisur ndërtimi, pra në afërsi të banesave, të lagjeve, vendbanimit. Qasja në infrastrukturën elementare publike, për shembull energjia elektrike, e shumë probleme të tjera, hapësira për parkingje e shumë probleme të tjera. Pra, te Gjilani e kemi një betejë shumë të vështirë, jo vetëm ta përfundojmë, por në fund edhe për ta certifikuar si një stadium ku mund të luajmë ndeshje ndërkombëtare. Nuk e di a do të mbërrijmë, sepse po ta kisha nisur nga fillimi, nuk do ta ndërtoja aty por diku tjetër në Gjilan. Dhe e kishim bërë shumë më mirë, edhe procedurën, edhe projektin, edhe krejt”, tha Çeku.
Për stadiumin “Adem Jashari”, ministri thekson se nuk mund të japë datë se kur do të përfundojë, por garanton që do të kryhet në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Tri renovime, kjo tregon edhe për seriozitetin se si janë trajtuar këto probleme më herët. Nuk e kemi paramenduar që dikush e nis një investim milionësh pa u siguruar që janë ‘maket-lejet’ dhe që janë trajtuar çështjet pronësore. Pra këto nganjëherë ta sfidojnë edhe imagjinatën se me çfarë defektesh i kanë trajtuar projektet e mëdha. Ne po flasim për një projekt mbi 12 milionë euro. Unë nuk jam ithtar i datave, jo që iu iku çështjeve të përgjegjësive, por në mes të asaj që ta kryejmë shpejt dhe ta kryejmë mirë, unë jam për këtë të fundit. Kjo nuk diskutohet, edhe nëse më merr kohë edhe nëse më kushton politikisht, këto janë projekte të mëdha dhe nuk janë për konsum të brendshëm ditor apo politikë e as për t’i fituar zgjedhjet. Unë mendoj që me një stadium të dytë të certifikuar ndërkombëtarisht ne e shpëtojmë futbollin tonë dhe kjo nuk bëhet për t’i fituar zgjedhjet”, theksoi ai.
Licencimi i federatave
Çeku foli edhe për licencimin e federatave sportive. Tha se nuk do të ketë kompromise. Konfirmoi se shumica e federatave sportive janë pa licenca. Për Federatën e Futbollit të Kosovës shtoi se do të jetë e barabartë me të gjitha të tjerat në procesin e licencimit.
“Në momentin që ka hyrë në fuqi Udhëzimi i ri Administrativ, unë nuk kam të drejt t’ia vazhdoj askujt licencën, sepse tani është hapur dera për licencim. Unë i lus federatat që të aplikojnë sa më shpejt. Pingpongu ishte Federata e parë e licencuar dhe shumë shpejt do të kemi Federatën e dytë dhe të tretë që do të licencohen. Mbi dhjetë aplikime janë dorëzuar, nëse nuk jam gabim. Po aq janë duke u përgatitur për t’u dorëzuar. Licencimi bëhet për këtë cikël olimpik dhe licenca vlen deri në fund të vitit 2024. Federata që nuk licencohet nuk ka të drejtë të organizojë gara. Kjo vlen për të gjitha federatat. Pse duhet të vlejë diçka tjetër për Federatën e Futbollit? FFK-ja është një nga federatat, a ka ndonjë ligj që thotë që ajo është më e rëndësishme se këto të tjerat? Nëse më thua për nga fuqia financiare, futbolli është industri më vete. Por këto janë diskutime të tjera. Karshi ligjit, karshi Udhëzimit Administrativ, të gjithë janë të barabartë”, tha Çeku.
Ministri ka folur edhe për Federatën e Notit dhe të Taekwondos që kanë telashe të brendshme.
“Unë e kam një njoftim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas të cilit Federatës së Notit i hidhet poshtë kallëzimi penal për shkak të një gabimi që e ka bërë në paraqitjen e atij kallëzimi. Kaq kam njoftim. Për të tjerat, jam në çdo moment në dispozicion të gjithkujt. Edhe të debatit publik, edhe të Komisionit Parlamentar, edhe të Komitetit Olimpik, edhe të gjykatave e prokurorive që të përgjigjem për secilin rast veç e veç. Unë i inkurajoj të gjithë ata që mendojnë që ka parregullsi, duke filluar nga unë, kabineti, administrata e teposhtë, që t’i nisin këto pretendime në gjyqësor, në prokurori, në Polici etj. Taekwondo është një çështje e grupeve që kanë luftë mes vete të cilët në një moment na kanë sjellë një dokument, një dëshmi që janë pajtuar dhe kjo ka qenë zgjidhja më e mirë për ne. Kur ka mospajtime dhe na sjellin dëshminë që janë pajtuar dhe e duan lejen për të vazhduar tutje për Kuvend, ne mezi kemi pritur atë dhe ua kemi dhënë. Kur ka vazhduar atje, nga njëri prej grupeve, është themeluar një nëngrup dhe e ka sfiduar krejt atë që është arritur atje”, përfundoi Çeku.
Infrastruktura sportive dhe licencimi janë vetëm dy prej çështjeve që aktualisht e mundojnë komunitetin sportiv në vend.