Nëse Manchester Unitedi do të vazhdojë më tej me fitore dhe do të sigurojë një përfundim në top-katërshen e Premier Leagues në fund të sezonit, do t'i detyrohet shumë mesfushorit Casemiro.
Braziliani u adaptua në skuadër gradualisht pas ardhjes së tij nga Real Madridi në verë, por nuk ka asnjë dyshim për rëndësinë e tij tani. Duke startuar për herë të 13-të në 14 ndeshje të Unitedit, Casemiro pati paraqitjen e tij ndoshta më të mirë deri më tani kundër Nottingham Forestit, të martën mbrëma. Dhe, fitorja 3:0 e ka afruar skuadrën e trajnerit Erik ten Hag vetëm një pikë prapa Tottenhamit që zë vendin e katërt.
Unitedi pa dyshim se kishte nevojë për Casemiron ndaj Nottinghamit pasi një virus kishte detyruar trajnerin Erik ten Hag të fuste një çift të improvizuar në qendër të mbrojtjes, me Raphael Varanen të sapokthyer nga Kupa e Botës dhe mbrojtësin e majtë, Luke Shaw. Por 30-vjeçari e mbrojti atë dyshe në mënyrë të shkëlqyeshme, duke dominuar mesfushën që nga fillimi i lojës dhe duke ndihmuar për të siguruar që Nottinghami rrallë t'i afrohej portës së Unitedit. Ai shkëlqeu në një kuptim mbrojtës, duke u futur në ndërhyrje - njëra prej të cilave nisi aksionin për golin e dytë të Unitedit.
Por, Casemiro pati ndikim edhe në anën tjetër të fushës, duke bërë një paraqitje të kompletuar në çdo aspekt të ndeshjes.
Ai për pak sa nuk shënoi gol me një goditje që detyroi portierin Wayne Hennessey të intervenonte në pjesën e dytë dhe asistoi për golin e fundit që u shënua nga braziliani tjetër, Fred. Kjo lloj paraqitjeje nuk duhet të jetë befasi, sigurisht. Casemiro është pesë herë fitues i Ligës së Kampionëve për një arsye. Por ajo që është kryesore për Unitedin është se ai është përshtatur kaq shpejt në Premier League. Ata kanë humbur vetëm një nga ato 13 ndeshjet e fundit që ai ka qenë titullar. Roli i tij po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për Unitedin, gjë që e ka pranuar edhe trajneri Ten Hag.
“Ne kishim nevojë për një numër 6 në fushë këtë edicion. Para fillimit të sezonit i bëmë analizat dhe konstatuam se Casemiro do të ishte përforcimi ideal për këtë pozitë. Me ardhjen e tij tani e kemi numrin perfekt që është nevojitur për ta kompletuar ekipin tonë. Jam shumë i lumtur që e kam në ekip, pasi Casemiro po shkëlqen nga ndeshja në ndeshje në pozitën e tij”, është shprehur Ten Hag.
“Ai ka treguar shumë aftësi drejtuese dhe futbollistike. Ai po e mban ekipin të bashkuar dhe më pas ai është gjithashtu shumë i rëndësishëm në lojën tonë me topin. Fitimi i topit dhe dhënia e topit te lojtari i duhur, siç bëri me golin e tretë ndaj Nottinghamit”.
Për të siguruar shërbimet e tij, Unitedi bëri të pamundurën. Pagoi hiç më pak se 70 milionë euro për Casemiron, i cili ishte njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm në mesfushën e Real Madridit vitet e fundit. Casemiro iu bashkua Realit në vitin 2014 nga Porto, por u la në huazim për një sezon përpara se të zhvendosej në “Santiago Bernabeu”. Casemiro një ditë pas ndeshjes me Nottingham Forestin është përgëzuar edhe nga ish-kapiteni i Unitedit, Rio Ferdinand, dhe ish-sulmuesi i Anglisë, Alain Shearer.
Madje, Shearer ka thënë se Casemiro është i jashtëzakonshëm dhe po i bën gjërat që të duken shumë të thjeshta në fushë. Edhe Shearer ka pranuar se nëse Unitedi përfundon në mesin e katër ekipeve të para në Premier League, atëherë meritat më të mëdha do t’i ketë Casemiro.
“Ai është lojtar i një klasi tjetër dhe bën që gjithçka të duket e lehtë. Ai ka aftësi për ta lexuar ndeshjen dhe për ta ndërtuar aksionin e ekipit. Me një fjalë, është një lojtar fantastik dhe më i merituari për ngritjen e Manchester Unitedit”, ka pranuar Shearer.
Ndërkohë Ferdinand ka shkruar në Twitter: “E dua këtë djalë” për Casemiron, i cili më vonë e ka falënderuar legjendën e klubit nga stadiumi “Old Trafford”. Deri më tani Casemiro në Premier League ka kontribuar me një gol dhe dy asistime. Reprezentuesi i Brazilit ka kontratë me ekipin anglez deri në verën e vitit 2026, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.