Sport

CAS-i refuzon apelin e Rusisë

Ndalimi i ekipeve të futbollit të Rusisë nga garat evropiane u la në fuqi të martën nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Një vendim i veçantë për statusin e Rusisë në Kampionatin Botëror “Katari 2022” pritet të merret më vonë gjatë kësaj jave.

Vendimi urgjent i CAS-it për ndalimin e pjesëmarrjes së ekipeve ruse në garat evropiane – një vendim i ndërmjetëm në pritje të një seance të plotë të apelit – është zbatuar vetëm për shkak të veprimit ligjor të Federatës së Futbollit të Rusisë kundër UEFA-s, organit qeverisës të futbollit në Evropë. Një ndalim i ngjashëm edhe nga FIFA është pjesë e një apeli të veçantë i federatës ruse për CAS-in.

Rusia ishte planifikuar të luante me Poloninë më datën 24 mars në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit të Botërorit “Katari 2022”. Javën e kaluar FIFA ia dha Polonisë kualifikimin në finale të plejofit pas vendimit që e mori. Federata e Futbollit të Polonisë dhe lojtarët polakë kishin thënë se do të refuzonin të luanin me Rusinë në fund të këtij muaji për shkak të sulmeve ndaj Ukrainës që po hyjnë në javën e tretë.

CAS-i tha se ankesat ruse për ngrirjen e të dy vendimeve të FIFA-s – ndalimin dhe lejes për ndeshjen me Poloninë - “ka të ngjarë të lëshohen në fund të kësaj jave”.

Sportistët dhe ekipet ruse janë ndaluar nga dhjetëra sporte qëkur vendi pushtoi Ukrainën muajin e kaluar. Vendimi i së martës për fuqizimin e ndalimit nga ana e UEFA-s jep një tregues të qartë se si mund të veprojë gjykata edhe në rastin e FIFA-s.

Vendimi i CAS-it për ndalimin evropian u mor nga kryetarja e divizionit të apelit, Corinne Schmidhauser, duke vepruar e vetme dhe pa publikuar arsyet e detajuara. Çështjet e plota të apelit pritet të vendosen nga një panel prej tre gjyqtarësh.

Ndalimi i vendosur nga komiteti ekzekutiv i UEFA-s më 28 shkurt – në një deklaratë të përbashkët me FIFA-n – largoi Spartakun e Moskës nga pjesëmarrja në Ligën e Evropës. Kundërshtari i Spartakut në 1/8 e finales, klubi gjerman Leipzig, u kualifikua në çerekfinale të kësaj gare pa lojë.

Përfaqësuesja U21 e Rusisë dhe gjeneratat e tjera në të dy konkurrencat ishin planifikuar gjithashtu të luanin ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian në javët në vijim.

Përfaqësuesja e femrave të Rusisë është kualifikuar në “Euro 2022” dhe aktualisht është e ndaluar të luajë, megjithëse çështjet ligjore ka të ngjarë të zgjidhen përpara se turneu të hapet në Angli më datën 6 korrik.

Apeli i federatës ruse kundër UEFA-s përmendi kundërshtarët e ardhshëm si palë aktive, duke përfshirë federatat e futbollit të Bjellorusisë, Anglisë, Francës, Portugalisë dhe Spanjës. Ndërsa apeli rus kundër FIFA-s citon gjithashtu federatat e futbollit të Polonisë, Suedisë dhe Republikës Çeke. Këto janë në grupin e njëjtë të plejofit për Kampionatin Botëror. Suedezët dhe çekët, sikurse edhe polakët gjithashtu kanë refuzuar të luajnë kundër Rusisë pas sulmeve ndaj Ukrainës.