Sport

Caktohen miqësoret, Agim Ademi premton së shpejti edhe selektorin

Federata e Futbollit e Kosovës të martën ka konfirmuar tre kundërshtarët e ardhshëm të Përfaqësueses së Kosovës. Tashmë janë përcaktuar dy kundërshtarët për miqësoret e muajit mars dhe njëri prej kundërshtarëve të qershorit. FFK-ja po punon për kundërshtarin e dytë të muajit qershor.

Por njëkohësisht FFK-ja po punon edhe për përzgjedhësin e ri të Përfaqësueses së Kosovës.

“Janë tre trajnerë në këtë fazë finale. Do të jetë gjermanofolës. Mund të bëhet e ditur javën e ardhshme, por para ndeshjeve do të jetë sigurt”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi, të martën për KOHËN.

Kosova më 22 mars do të luajë miqësoren ndaj Armenisë në Jerevan. Katër ditë më pas, Kosova luan ndaj Hungarisë në Budapest. Hungaria do të paraqitet në “Euro 2024” që këtë verë mbahet në Gjermani.

Miqësoren tjetër “Dardanët” do ta kenë në Oslo ndaj Norvegjisë, më 5 qershor. Në qershor Ademi thotë se Kosova do ta ketë edhe një miqësore tjetër.

“Janë ndeshje të rëndësishme. Do të jenë katër miqësore që trajneri i ri do t’i ketë në dispozicion për të përgatitur ekipin për ciklin e ri të Ligës së Kombeve. Ta shohim shortin e pastaj trajneri i ri i cili do të vjen shumë shpejt, do t’i shohë lojtarët me të cilët do të paraqitet në Ligën e Kombeve. Besoj se me katër ndeshje mund ta shohë ekipin ku është”, ka thënë Ademi.

Kosova është pa selektor prej nëntorit të vitit të kaluar. Sllovenit Primozh Gliha nuk iu vazhdua kontrata pas ciklit kualifikues për Evropian. Para Glihës, Kosovën në ndeshje kualifikuese e drejtuan Albert Bunjaki, Bernard Challandes dhe Alain Giresse.

Kosova të enjten do të mësojë kundërshtarët për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.

Ndeshjet e para janë prej 5 deri më 7 shtator e të dytat prej 8 deri më 10 shtator. Dy ndeshje janë në tetor e dy të tjera në nëntor.

Përfaqësuesja e Kosovës do të vazhdojë të luajë në Ligën C të Ligës së Kombeve. Për short do të jetë në vazon e dytë së bashku me Azerbajxhanin, Bullgarinë e Ishujt Faroe.

“Për trajner ende nuk është definuar përfundimisht. Kemi dhënë ofertat tona dhe ua kemi treguar objektivat tona. Do të përzgjidhet ai trajner që është afër ideve tona. E kemi të qartë atë që dëshirojmë. Nuk kërkojmë trajner për zhvillim, por për rezultate. Kemi ekip që është dëshmuar tashmë. Është fazë ku me këtë ekip dhe këta lojtarë të kërkojmë diçka të madhe”, ka theksuar Agim Ademi.

Ai ka treguar se në grumbullimet e ardhshme do të ketë edhe lojtarë të rinj. Po ashtu, ka folur edhe për mundësinë që Arbër Hoxha të vazhdojë të luajë për Kosovën.

“Unë kam folur me të gjatë kohës sa u bë transferimi te Dinamo. Kemi folur edhe me familjarët e tij. Arbëri ka qenë pjesë e jona dhe nuk besoj ndryshe. Por lojtarët duhet ta kuptojnë se nëse nuk ftohet njëherë, nuk do të thotë se ai është përjashtuar. Ai do të jetë pjesë e jona dhe duhet të pajtohet edhe me konkurrencën. Ne kemi një numër të mirë të lojtarëve që i kemi pasur dhe i kemi. Secili prej tyre duhet ta marrë si privilegj paraqitjen me Kosovën”, ka thënë Ademi.

Hoxha më herët pati thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë të luajë për Kosovën apo do të paraqitet për Shqipërinë.