Sport

Bytyqi tregon pse nuk po luan tek Olympiacosi

Pasi u aktivizua si zëvendësues te Kosova në ndeshjen ndaj Andorrës, Zymer Bytyqi nuk u grumbullua fare në tri ndeshjet e këtij muaji tek Olympiacosi. Sulmuesi i krahut më 31 janar bëri transferim të madh duke kaluar nga Konyaspori i Turqisë te skuadra e madhe greke Olympiacos. Por fillimi i karrierës në Greqi po del të jetë shumë i vështirë për 26-vjeçarin.

Bytyqi e ka luajtur vetëm një ndeshje kampionale për Olympiacosin deri më tani. Më 5 mars u aktivizua në minutën e 73-të në fitoren 6:0 të Olympiacosit ndaj Levadiakosit. Ishte grumbulluar edhe më 5 shkurt ndaj PAOK-ut, ndërsa në ndeshjet tjera kampionale nuk u përfshi në skuadër. Më 9 shkurt luajti prej minutës së 39-të në ndeshjen për Kupë ndaj AEK-ut, të cilën Olympiacosi e humbi 3:0.

“Transferimi tek Olympiacosi është një kalim i madh. Jam i kënaqur që kam arritur të vija këtu. Por nuk besoj se më vjen shansi deri në fillim të edicionit të ri. Kam ardhur në një kohë pak të keqe. Skuadra po i përdor më shumë lojtarët që janë këtu prej verës”, ka thënë Bytyqi të martën për KOHËN.

Te Konyaspori, Bytyqi ka luajtur rregullisht dhe ishte titullar i padiskutueshëm. Ka shfaqur formë të lartë dhe kjo i siguroi kalimin te gjiganti grek. Por tek Olympiacosi, Bytyqi ka gjetur shumë lojtarë të pozitës së tij.

“Janë disa emra të mëdhenj në pozitën time. Nuk më ka ardhur shansi që të luaj dhe të dëshmoj veten. Por besoj që prej verës me vjen shansi. E di që na vjen një trajner i ri dhe më pas do të jemi të gjithë lojtarët në situatë të njëjtë. Për këtë stinor nuk kam shumë shpresa për vete. Jam gati që të kem një pushim të mirë, të kthehem me energji të mirë dhe në formë të mirë”, ka shtuar Bytyqi.

Bytyqi ka 18 paraqitje për Kosovën, ndërsa e ka realizuar një gol. Ka debutuar në mars të vitit 2014. Ai ka luajtur edhe për të rinjtë e Norvegjisë, ndërsa karrierë ka bërë te Sandnesi e Vikingu në Norvegji. E kishte një periudhë zhvillimi edhe te Salzburgu në Austri.

Te Konyaspori ka luajtur me sukses prej vitit 2020 e deri në fillim të këtij viti.

“Dallimi në mes të Superligës së Turqisë dhe Superligës së Greqisë është që këtu futbolli është më shumë fizik dhe më shumë taktik. Në Greqi janë tri-katër skuadra të nivelit të lartë, ndërsa të tjerat nuk janë diçka të veçanta. Mendoj që këto top-katër ekipet e kanë nivelin më të lartë se në Turqi. Por ekipet tjera të Superligës greke nuk janë në nivel të ekipeve të Superligës së Turqisë”, ka theksuar Bytyqi.

Olympiacosi ka mbetur prapa në garën për titull. Mban vendin e tretë me 63 pikë, ndërsa AEK-u e Panathinaikosi kanë nga 69 pikë. Katërshen e madhe e përbën edhe PAOK-u.