Sport

Bytyqi synon historinë me Konyasporin - të luaj në “Champions”

Zymer Bytyqi pranon se gjasat për ta fituar titullin e kampionit në Turqi nuk janë të mëdha. Por ai ka besim të madh se vendi i dytë është i arritshëm për skuadrën e tij, Konyaspor.

Aktualisht, Konyaspori mban vendin e dytë në Superligën turke me 52 pikë. Lider është Trabzonspori me 67 pikë.

Kampioni dhe nënkampioni i Turqisë paraqiten në kualifikimet e Ligës së Kampionëve në edicionin e ardhshëm. Kampioni nis prej rundit të tretë kualifikues e nënkampioni prej rundit të dytë.

Konyaspori nuk ka garuar më parë në Ligën e Kampionëve.

Në suksesin e deritashëm të Konyasporit ndikim ka pasur edhe Bytyqi. Në gjashtë ndeshjet e fundit ai ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me dy asistime. Në total, në 27 ndeshje, reprezentuesi i Kosovës i ka tri gola dhe pesë asistime.

“Jam shumë i kënaqur me formën që po kaloj. Por sigurisht që secili lojtar synon të japë sa më shumë kontribut për klubin. E rëndësishme është që po arrij ta ndihmoj ekipin t’i realizojë synimet. Duhet të vazhdoj kështu dhe të mundohem t’i ndihmoj ekipit ta sigurojë vendin e dytë. Konyaspori ka qenë pjesëmarrës në Ligën e Evropës, por jo edhe në ‘Champions’. Është një mundësi e madhe të hyjë në histori të Konyasporit”, ka thënë Bytyqi për KOHËN.

Pjesë e Konyasporit janë edhe Endri Çekiçi e Sokol Çikalleshi. Edhe ata janë duke treguar ndeshje të mira me Konyasporin.

Sulmuesi i krahut, Bytyqi, shton se do të mundohen që bashkërisht ta japin më të mirën për t’i gëzuar tifozët.

Konyaspori nuk e ka fituar asnjëherë titullin e kampionit në Turqi. E ka fituar Kupën e Turqisë në vitin 2017. Po atë vit e ka fituar edhe Superkupën. Nuk llogaritet prej skuadrave të mëdha turke.

Në dy edicione rresht, 2016/2017 dhe 2017/2018, ka marrë pjesë në Ligën e Evropës.

“E kemi pasur një periudhë të vështirë si ekip, por tash jemi kthyer mirë kundër Galatasarayt. Nëse vazhdojmë të luajmë si kundër Galatasarayt, jam 100 % i sigurt se do të jemi ose në Ligën e Kampionëve ose në Ligën e Evropës. Sigurisht se do të ishim shumë të lumtur nëse do të siguronim kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Për çdo lojtar është ëndërr e realizuar paraqitja në Ligën e Kampionëve. Luajnë klubet më të suksesshme”, ka theksuar Bytyqi.

25-vjeçari ftohet rregullisht te Kosova prej vitit 2020. Ka luajtur tetë ndeshje. Para se t’i bashkohej Kosovës ishte pjesë e ekipeve zinxhirë të Norvegjisë. Ai pritet të ftohet edhe për dy ndeshjet që Kosova i luan këtë muaj, me Burkina Fason dhe Zvicrën.

“Janë ndeshje miqësore dhe duhet të njoftohemi me mënyrën e lojës së trajneri të ri. Ajo është më e rëndësishmja për të gjithë lojtarët për këto ndeshje”, ka thënë Bytyqi.