Sport

Burneta Rama sfidohet nga një tjetër lëndim serioz, synon të kthehet edhe më e fortë

Lëndimet në sport janë shumë të shpeshta dhe ndikojnë dukshëm në karrierën e sportistëve. Ka prej sportistëve që shkaku i lëndimeve të rënda e humbin edhe karrierën.

Mirëpo, ka edhe sportistë që rikthehen edhe më fuqishëm pas lëndimit. Një gjë të tillë po e synon hendbollistja Burneta Rama.

Ajo e ka dëshmuar disa herë një gjë të tillë gjatë karrierës të mbushur me lëndime. Burneta Rama vlerësohet prej hendbollisteve më të mira në vend. Por lëndimet e kanë detyruar të pauzojë për një kohë të gjatë nga sporti i vështirë i hendbollit.

Image

Aktualisht Burneta Rama nuk është aktive në hendboll për shkak të lëndimit të fundit që pësoi këtë muaj. Por ajo e sheh veten të kthehet sërish pasi të përfundojë rehabilitimin. Së fundi ka lënduar tejzën e Akilit.

Edhe pse sukseset nuk i kanë munguar në hendboll, Rama vlerëson se nuk kishte fat me lëndimet, ku disa prej tyre ishin shumë të rënda. Sipas saj, çdo sfidë duhet të merret me pozitivitet dhe sportisti gjithmonë pajtohet me faktin se do të lëndohet.

“Mendoj se secili sportist në karrierë shoqërohet me lëndime, qofshin të lehta apo të rënda. Unë mund të them se nuk kisha aq fat në këtë aspekt pasi u ballafaqova me lëndime mjaft të rënda dhe kjo më la jashtë fushës për një vit e gjysmë”, thotë Rama që insiston se do të kthehet edhe më i fortë.

Lëndimet asnjëherë nuk e ndalën hendbollisten. Motivi dhe dëshira e madhe i mundësuan rikthimin e fuqishëm në fushë. Rama pranon se është shumë sfiduese për një sportist që të pësojë lëndim të rëndë derisa është pjesë e një ekipi në Kosovë.

Dhe, ajo që më së shumti e shqetëson është ndihma financiare që klubet ua ofrojnë sportistëve të lënduar. Këtë faktor ajo e sheh si një demotivim të madh në përgjithësi te sportistët kosovarë.

“Te sportistët në Kosovë kur ndodh një lëndim i rëndë, motivi bie përtokë, sepse ai apo ajo duhet të mendojë për tëe gjitha, duke filluar nga operimi e deri te rehabilitimi. Në fakt, kjo gjë nuk do të duhej të ishte fare brengë”, u shpreh Rama për KOHËN.

Në rastin e Burnetës shpenzimet për lëndimin e parë ia hoqi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në të vërtetë, MKRS-ja ia hoqi shpenzimet vetëm për operim derisa rehabilitimin e pagoi vetë. Ka pasur rast kur ekipi i Istogut, për të cilin ishte duke luajtur kur u lëndua ia ka paguar të gjitha shpenzimet si për operim ashtu edhe për rehabilitim.

Me gjithë lëndimet e shumta, Burneta asnjëherë nuk e kishte opsion largimin nga sporti.

“Në fillim e kam pasur këtë mendim, por me kalimin e kohës e kam ndryshuar dhe jam e vendosur të kthehem”, thotë Rama, që shton se puna e palodhshme dhe përkrahja e vazhdueshme e familjes ka bërë që të vazhdojë përpara dhe të motivohet që mos të dorëzohet asnjëherë.

Hapat e parë si hendbolliste, Burneta Rama i bëri te KHF Shqiponja nga Gjakova, ku qëndroi për gati një dekadë (2002-2011). Në vitin 2011, ajo iu bashkua Prishtinës, ekip me të cilin luajti për gjashtë vjet dhe fitoi të gjithë trofetë e mundshëm në Kosovë. Gjatë kohës te Prishtina, Rama pauzoi për një vit shkaku i lëndimit të gjurit dhe pas kthimit në parket, ajo ndërroi ekipin. Iu bashkua Vushtrrisë dhe ende është pjesë e këtij klubi, me të cilin sezonin e fundit e fitoi Kupën e Kosovës. Gjatë karrierës, Rama, 30-vjeçarje, asnjëherë nuk hezitoi t’u ndihmojë ekipeve si Kastrioti, Prishtina e Istogu në garat evropiane.

“Gjithmonë kam qenë e gatshme t’u përgjigjem ftesave të ekipeve kundërshtare kur luanin në garat evropiane”, tha Rama, e cila është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës dhe në duelin kualifikues për Botëror kundër Turqisë të luajtur në vitin 2017, u shpall lojtarja më e mirë e ndeshjes.

Ramës nuk i kanë munguar sukseset kolektive në hendboll, por as ato individuale. Në vitet 2014 dhe 2016, u zgjodh hendbollistja më e mirë në Kosovë. Edhe pse sukseset më të mëdha i ka arritur në sportin e hendbollit, Rama karrierën si sportiste e filloi në “mbretëreshën e sporteve”, atletikë. Karrierën si atlete e filloi në Kroaci dhe më pastaj e vazhdoi edhe në Kosovë, ku arriti shumë suksese. Rama ka qenë kampione në vrapim 100 e 200 metra, pastaj kërcim së gjati dhe trehapësh. Si atlete, Rama e përfaqësoi Kosovën në garat ndërkombëtare të mbajtura në Maqedoni, Shqipëri e Turqi. Në dy raste u zgjodh atletja më e mirë e vitit në Kosovë (2005, 2010).

Përpara se ta bënte kalimin në sportin e hendbollit është marrë njëkohësisht edhe me atletikë për një periudhë. Ishte motra e saj, që e inspiroi Ramën të merrej me hendboll.

“Lidhja me dy sportet u bë për shkak se motra ime po merrej me hendboll. Ajo ishte lojtare e një ekipi në Gjakovë dhe unë në anën tjetër tregova interesim të jashtëzakonshëm për këtë sport dhe kisha dëshirë që me çdo kusht të bëhem hendbolliste si ajo”, zbulon Rama. “Më duhet të them se nuk e kam bërë ndërrimin e sporteve, por në fakt jam marrë njëkohësisht si me atletikë ashtu edhe me hendboll për një periudhë të gjatë dhe sukseset nuk kanë munguar”.

Rama pranon se dallimi mes atletikës dhe hendbollit si sport është i madh, mirëpo i ndihmoi mjaft shumë asaj në karrierën si hendbolliste.

“Çdo sport ka specifikat e veta dhe nuk ishte lehtë. Por unë isha shumë e shpejtë në atletikë dhe hendbolli gjithashtu është sport që kërkon shpejtësinë, gjë që më ndihmoi shumë. Falë aftësive të mia, arrita që të dy sportet t’i kombinojë dhe t’i shfrytëzoj në mënyrën më të mirë të mundshme, për çka edhe jam krenare”, insistoi Rama.

Ajo pritet të kthehet pas një kohe dhe synon ta ndihmojë Vushtrrinë të fitojë trofe të tjerë.