Sport

Buduqnosti pa tifozë, por me bindjen se do ta kalojë Llapin

Trajneri i Buduqnostit, Aleksandar Nedoviq, shprehu besim të plotë ndaj lojtarëve të tij në konferencën për shtyp të mërkurën në Prishtinë, një ditë para ndeshjes kundër Llapit. Nedoviq beson se lojtarët e Buduqnostit do të largohen nga stadiumi “Fadil Vokrri” me kokën lart.

Avancimin në rrethin e dytë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës, Buduqnosti do të mundohet ta arrijë pa përkrahjen e tifozëve “Varvari”.

Nedoviq theksoi se mungesa e tyre do të ndihet shumë, por u shpreh se atmosfera që do të mbretërojë të enjten mbrëma në Prishtinë do të kthehet në forcë për lojtarët e tij.

Të mërkurën u konfirmua se tifozët e Buduqnostit nuk do të jenë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ani pse e kanë paralajmëruar udhëtimin. Ndeshja Llapi – Buduqnosti luhet prej orës 20:00.

Kjo tifozëri ka fyer e përqeshur shqiptarët në ndeshjen e parë në Podgoricë, ndërsa e ka vlerësuar Kosovën pjesë të Serbisë kur e kishte paralajmëruar ardhjen në Kosovë.

Por, pas mbledhjes së sigurisë, u konfirmua se “barbarët” e Buduqnostit nuk do të marrin rrugë për në Prishtinë.

“Sigurisht që do të jetë hendikep, që nuk do të jenë tifozët tanë. Shumë më mirë luajmë kur janë ata këtu, pavarësisht numrit. Edhe përkrah 11 mijë tifozëve vendës që janë paralajmëruar, do të ishim shumë të lumtur të shohim ngjyrat e kaltra dhe të bardha të ndoshta 200 shikuesve tanë, pasi do të dinim që dikush është prapa nesh, që na ruan shpinën, në kuptimin sportiv, dhe do të na përkrahnin ashtu siç na përkrahin tërë kohën. Por disa organe të tjera kanë vendosur që kështu të jetë dhe ne e respektojmë këtë. Dhe do të kemi motiv edhe më të madh që për ta të luajmë këtë ndeshje”, ka thënë Nedoviq.

Ai pret që të enjten mbrëma të ketë atmosferë festive. Nuk e pengon numri i madh i shikuesve të paralajmëruar nga Llapi.

“Për futbollin në përgjithësi do të jetë mirë që stadiumi do të jetë i mbushur, që Llapi do të ketë përkrahje. Luan në stadiumin e tij. Por ne do të jemi gati të përgjigjemi në fushë. Luajmë 11 me 11. Presim të jetë atmosferë e mirë, atmosferë futbolli dhe të përfundojmë atë që kemi nisur në mënyrë të duhur, si ne ashtu edhe Llapi. Futbolli vazhdon tutje dhe besoj se do të përgjigjemi me kualitet me përkrahjen e tyre. Në mënyrë të përgjithshme, me lojë duhet të përgjigjemi në përkrahjen që Llapi do ta ketë nga tifozët”, tha trajneri i Buduqnostit, që mohoi të ketë pasur thirrje antishqiptare javën e kaluar në Podgoricë nga tifozët “Varvari”.

Në fakt ka pasur shpalosje të panove fyese ndaj shqiptarëve, ndërsa te Llapi ishin ankuar për hedhje të gjësendeve në drejtim të bankës.

Por Nedoviq fajësoi Llapin për incidentin që ndodhi në ndeshjen e parë.

“Thirrje nga tribunat sigurisht nuk ka pasur. Nuk ka pasur thirrje dhe fyerje nga ana e tifozëve tanë. Incidenti që ndodhi në terren është nxitur kur Llapi nuk e largoi topin nga fusha, pasi ne e kishim bërë këtë dy herë më parë kur lojtari i Llapit qëndronte i shtrirë. Ishim 11 me 10 dhe kështu ndalëm iniciativën e madhe që kishim. Ai incident ka ndodhur kur lojtarët e Llapit nuk e nxorën topin jashtë, ndërsa lojtari ynë ishte i shtrirë. Për këtë ndodhi ky incident i vogël, që nuk ishte asgjë e jashtëzakonshme. Ne prapë kemi treguar madhështinë e klubit. Ekzistojnë incizimet ku unë dhe anëtarët e tjerë të shtabit teknik kemi mbrojtur bankën e Llapit, trajnerin dhe gjithë lojtarët”, tha trajneri i skuadrës malaziase.

Nedoviq e lavdëroi Llapin për duelin e parë të luajtur në Podgoricë. Tha se ia pamundësoi ekipit të tij të shënonte më shumë gola, por përmendi edhe mungesën e fatit.

Për duelin e së enjtes u shpreh se e ka planin e lojës, të cilit nuk do t’i shmanget. Buduqnosti do të mundohet të marrë tjetër rezultat pozitiv.

“Sigurisht që jemi të kënaqur me rezultatin prej 2:0 me të cilin kemi ardhur këtu. Llapi sigurisht ka kualitet. Është fitues i Kupës në vendin e tij dhe kjo duhet të respektohet. Por kur të fillojë ndeshja ne do të shohim interesat tona dhe që të largohemi si fitues”, deklaroi Nedoviq.

Mesfushori Luka Mirkoviq tha se nuk sheh problem në kalimin e këtij rundi dhe se stadiumi i mbushur plot do t’i motivojë ata. Ai fillimisht ka folur për ndeshjen e parë.

“Sigurisht që ishte ndeshje e vështirë. Kemi parë disa incizime të Llapit. Kemi vërejtur mangësi dhe ato jemi munduar t'i shfrytëzojmë. Tani presim një ndeshje edhe më të vështirë, por në anën tjetër kemi rezultat shumë të mirë prej 2:0 dhe nuk shoh problem që të kalojmë në rundin e dytë. Mezi presim që të luajmë para stadiumit të stërmbushur. Do të kemi më shumë dëshirë që të paraqitemi sa më mirë”, deklaroi Mirkoviq.

Buduqnosti është pesë herë fitues i titullit të kampionit në Mal të Zi dhe katër herë fitues i Kupës.

Në gara evropiane merr pjesë nga viti i largët 1981.