Sport

Broja, sulmuesi që Shqipëria e ka kërkuar gjithnjë

Një top në një zonë fare të parrezikshme shkoi për sulmuesin e ri. Pranë vijës anësore, me mbrojtësin hungarez në afërsi të 20-vjeçarit. Dukej situatë e pashpresë. Por jo për Armando Brojën. Jo për sulmuesin që Shqipëria e ka kërkuar gjithnjë dhe për të cilin vlerësimet janë se do të jetë më i miri ndonjëherë.

Broja te topi arriti para mbrojtësit. E preku lehtë, duke e shtyrë përpara. Zgjati hapin dhe mbrojtësin hungarez e la diku prapa. Ngriti kokën dhe vlerësoi situatën në të cilën gjendej. Përmes një finte e kaloi sërish mbrojtësin e njëjtë, këtë herë në anën e kundërt. Duke kontrolluar topin mjeshtërisht, hyri në zonë. Përballoi presionin e një tjetër lojtari dhe shtyu topin para “mbrojtësit hije”. Nga një kënd i vështirë goditi ulët dhe dërgoi topin në rrjetë. 1:0 për Shqipërinë në “Pushkash Arena” në Budapest.

Po të mos shënonte, Broja do të akuzohej për lojë individuale. Por shënoi dhe ishte “hero” i takimit që mban fuqishëm Shqipërinë në garë për kualifikim në Botërorin 2022, përkatësisht në pozitën e dytë në grup, që dërgon në barazh.

Për sulmuesin e lindur në Angli, por me prejardhje nga Malësia e Madhe, ishte goli i tretë për kuqezinjtë. Ai ka shënuar në tri takimet e fundit të Shqipërisë. Gjithsej i ka nëntë ndeshje e tri gola.

Gol vendimtar shënoi edhe më 5 shtator, në fitoren 1:0 të Shqipërisë ndaj Hungarisë në Elbasan. Ishte akuzuar pas ndeshjes për lojë vetjake. Shënoi një gol edhe në fitoren 5:0 ndaj San Marinos, po në Elbasan, më 8 shtator. Dhe të shtunën mbrëma shënoi sërish ndaj Hungarisë për ta mbajtur Shqipërinë në vendin e dytë në grup.

Broja edhe një herë dëshmoi se vetëbesimin e ka anë të fortë. Po ashtu lojën një kundër një. Pastaj goditjen, driblimin, shpejtësinë ...

Image

Me ecurinë aktuale nuk do të duhen shumë vjet që Broja të dalë i pari në listën e realizatorëve të Shqipërisë, ndonëse ai është vetëm në fillim të karrierës me përfaqësuese. Më së shumti gola për Shqipërinë ka Erjon Bogdani, gjithsej 18. Këtë shifër e ka arritur në 75 paraqitje. Alban Bushi ka 14 gola në 67 paraqitje. Pasojnë Ervin Skela me 13 gola, Sokol Çikalleshi e Armando Sadiku me nga 12, Hamdi Salihi e Altin Rraklli me nga 11, Sokol Kushta e Igli Tare me nga 10 gola. Adrian Aliaj e Bekim Balaj plotësojnë dhjetëshen me nga 8 gola.

Të gjithë këta kanë dhënë shumë për Shqipërinë. Kanë kontribuar në një mënyrë ose tjetrën që Shqipëria të jetë në situatë të mirë për kualifikimin e parë në Botëror. Por asnjëri nuk kishte aftësitë shënuese që Broja i ka shfaqur në dy ndeshjet ndaj Hungarisë. Ndaj Hungarisë që në verë, në Euro 2020, kishte bërë telashe Portugalinë, Francën e Gjermaninë.

Vlerësimet janë të shumta që Shqipëria me Brojën ka fituar sulmuesin që i ka munguar deri më tani. Në ndeshjen e së shtunës i rrezikshëm u shfaq Myrto Uzuni, që provoi tri herë. Por përfundimin e aksioneve nuk e kishte në nivel. Ndërkohë Broja me aksion individual doli në shans dhe e shfrytëzoi atë maksimalisht.

“Ishte ndeshje e mirë. Ekipi ka luajtur shumë fort, shumë mirë. Edhe para se të hyja unë, ekipi bëri çdo gjë, na mungoi vetëm golin. Më vjen mirë që shënova golin e fitores dhe morëm tri pikë”, ka thënë Broja.

Ndeshjen vendimtare për pozitën e dytë, Shqipëria e luan të martën në Tiranë ndaj Polonisë. I duhet fitorja për ta bërë hapin vendimtar drejt vendit të dytë.

“Duhet të jemi të përqendruar për ndeshjen kundër Polonisë që vjen shumë shpejt. Jemi ekip i mirë, jemi ekip i fortë dhe jemi të bashkuar. I lutem Zotit që edhe në atë ndeshje të festojmë”, ka shtuar Broja.

Si fëmijë, sulmuesi shtatlartë është zhvilluar te Burnham Juniors dhe më pas te Tottenham Hotspur. Prej vitit 2009 zhvillimin si futbollist e bëri te Chelsea. Në edicionin 2020/2021 luajti huazim te Vitesse në Holandë. Shënoi dhjetë gola në 30 paraqitje. Këtë edicion po luan huazim te Southamptoni në Premier League. Por Chelsea nuk heq dorë prej tij. Kontratën e parë profesionale ia kishte ofruar në shkurt të vitit 2020. Kishte firmosur për dy vjet. Më 18 korrik të këtij viti Broja firmosi për pesë vjet me klubin e madh anglez.

Ai ka tri paraqitje e një gol me Shqipërinë U19. Një gol në tri paraqitje i ka edhe me Shqipërinë U21. Te përfaqësuesja A ka trefishuar shifrat. Ka tri gola në nëntë paraqitje.

“Ky djali ka dy aftësi dalluese të lindura, vertikalitetin dhe synimin e kapjes patjetër të zonës së rreptësisë. Janë të rrallë të ngjashmit e tij në botë. Vetëm një gjë mund ta frenojë në kapjen e majave të futbollit dhe kjo është egoja e tij disi e tepruar, paçka se për Kombëtaren tonë rezultoi fatlume. Me një korrigjim të saj në drejtim të vënies në shërbim të ekipit, Armando Broja do të jetë më i suksesshmi i llojit të vet që ka lindur Shqipëria”, ka thënë Roland Luçi, një ish-sulmues i Shqipërisë.

“Bravo Kombëtarja! Bravo Reja! Bravo Broja! Unë jam kundër unit, por jo kundër statistikës dhe faktit. Broja mund të jetë nga të paktit ose i vetmi që i ka dhënë ekipit kombëtar gjashtë pikë personale. Dhe kush flet ose e anashkalon këtë djalë të ri, ose është i paditur në futboll, ose është shumë xheloz. I uroj Brojës të vazhdojë këtë rrugë të bukur dhe të ketë kujdes vetëm nga vetja. Suksese Kombëtares në kualifikimin e Botërorit. Shanset janë të mëdha”, ka shkruar Sokol Kushta, një tjetër emër i madh i futbollit të Shqipërisë.

Ndonëse po luan kryesisht rezervist te Shqipëria, Broja po del të jetë vendimtar. Këtë e pranon edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

“Ai që shënoi golin është një sulmues që Shqipëria nuk e ka pasur ndonjëherë. Ai futbollist do ta ndihmojë shumë më tepër Kombëtaren tonë”, ka thënë Duka.

Broja ka treguar se ka pasur një lëndim para ndeshjes me Hungarinë, por ka shtuar se në fushë është ndier mirë. Ai beson se do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Polonisë.

Mediat në Tiranë kanë shkruar për rekordet që janë arritur falë golit të Brojës në Budapest.

Për herë të parë kuqezinjtë kanë fituar 15 pikë në një cikël kualifikues. Deri më tani numri maksimal i pikëve të fituara nga Shqipëria ishte 14.

Shqipëria për herë të parë ka shënuar gol në Hungari, ndërsa Broja është bërë i pari lojtar i Shqipërisë që realizoi në tri ndeshje rresht të kuqezinjve. Gola të tjerë priten prej tij. Shpresohet që në ndeshjen me Poloninë. Pse jo, në një ngjarje të madhe në të ardhmen e afërt.