Sport

Brightoni me fitore të rëndësishme në udhëtim

Skuadra e Brightonit ka marrë fitore të rëndësishme në udhëtim duke e mposhtur Nottingham Forestin në kuadër të xhiros së 13-të të kampionatit anglez. Të shtunën, Brightoni triumfoi 3:2 për ta regjistruar fitoren e gjashtë këtë edicion, që e ngrit në kuotën e 22 pikëve.

Nottinghami qysh në minutën e tretë kaloi në epërsi me golin e sulmuesit Antony Elanga. Mirëpo, Brightoni reagoi me dy gola në pjesën e parë për të shkuar në epërsi me shifrat 2:1. Fillimisht, Evan Ferguson barazoi shifrat në minutën e 26-të, ndërsa Joao Pedro shënoi golin e dytë për Brightonin në kohën shtesë.

Në minutën e 58-të, Pedro shënoi golin e tij të dytë personal, duke realizuar nga penalltia për 3:1.

Nga penalltia realizoi edhe Nottinghami, por që nuk arriti ta shmangë humbjen. Morgan Gibbs-White ishte i saktë në minutën e 76-të për rezultatin përfundimtar të ndeshjes.