Sport

Braziliani Marclei premton gola për Prishtinën

Kur vendosi të transferohej në Kosovë, synimi i sulmuesit nga Brazili, Marclei Cesar, ishte të qëndronte sa më gjatë në elitën e futbollit kosovar dhe ta dëshmonte veten si njëri prej golashënuesve më të mirë të huaj. Ai do të luajë në elitën e vendit edhe në edicionin e ri.

Edicioni 2022/23 do të jetë i treti për brazilianin 33-vjeçar në Superligën e Kosovës, por me klubin e katërt dhe njërin prej më të suksesshmëve. Cesar do të jetë pjesë e skuadrës së Prishtinës, me të cilën ka arritur marrëveshje njëvjeçare.

Transferimin tek ish-kampionia, Marclei e ka konfirmuar të martën për KOHËN. Ka pranuar se dëshira e tij prejse ka ardhur në Kosovë ishte të luante për një ekip të madh si Prishtina. Para dy vjetësh, sulmuesi brazilian zbarkoi në Kosovës. Në verën e vitit 2020, Marclei iu pat bashkuar Feronikelit, por u largua pas gjashtë muajve për t’u transferuar te Arbëria e Dobrajës. Edicionin e shkuar, Marclei ishte pjesë e Ulpianës dhe shënoi gjashtë gola e asistoi tri herë në 20 paraqitje kampionale. Tek Ulpiana ai ishte kapiten i ekipit. Ndërsa në edicionin 2020/21, ai pati 12 gola e dy asistime në 21 ndeshje të zhvilluara, ku 15 prej tyre ishin me fanellën e Arbërisë.

“Kur erdha në Kosovë para dy vjetësh synimi im ishte të qëndroja sa më shumë në këtë vend dhe të dëshmohem si njëri prej golashënuesve më të mirë në huaj në Superligë. Kam luajtur në shumë shtete gjatë karrierës, por më pëlqen Kosova ku e kam tani edhe familjen dhe jam i lumtur që do të jem pjesë e futbollit kosovar edhe për kampionatin e ri”, ka thënë Marclei.

Ai nuk heq dorë nga synimet personale edhe me Prishtinën, ekip më të cilën dëshiron ta fitojë titullin e kampionit, por edhe të shpallet golashënuesi më i mirë. Marclei premton se do të përpiqet ta ndihmojë Prishtinën me gola në secilën ndeshje për ta arritur synimin që e ka. E pranon se nuk do të jetë lehtë, por insiston se do të punojë fort për të realizuar dëshirat që i ka. Thotë se ka pritur shumë për një mundësi të tillë dhe tani që është pjesë e Prishtinës është i vendosur për të dhënë gjithçka nga vetja.

“Dëshira ime prejse jam në Kosovë ishte të shpallem kampion dhe golashënuesi më i mirë. Jam shumë i lumtur dhe krenar që do ta bart fanellën e një klubi me renome si Prishtina”, është shprehur Marclei. “E kam pritur një mundësi të tillë dhe tani më mbetet të punoj shumë për të qenë i suksesshëm me ekipin e ri, me të cilin besoj se do të luftojmë për titullin e kampionit”.

Prishtina edicionin e shkuar nuk arriti ta mbrojë titullin e kampionit dhe përfundoi e pesta në tabelë me 51 pikë të mbledhura. Pati telashe të mëdha financiare dhe për kampionatin e ri po bën një ristrukturim me trajnerin Ismet Munishi në krye të projektit. Munishi ka thënë se braziliani Marclei është një lojtar që do ta ndihmojë skuadrën e tij për edicionin i cili nis më 13 gusht.

Marclei insiston se nuk do ta ketë problem të përshtatet në ambientin e ri, gjë që do ta dëshmojë edhe gjatë fazës përgatitore e cila tashmë ka nisur te Prishtina.

“Gjithmonë kam dashur ta vesh fanellën e Prishtinës, pasi besoj se ka shumë gjëra që më identifikojnë me këtë klub të madh. Përkushtimin tim te Prishtina do ta dëshmoj në secilën ndeshje me gola dhe duke luftuar për fitore. Për këtë jam shumë i bindur”, ka thënë Marclei.

Para se të vendosej në Kosovë, Marclei që karrierën e nisi në Brazil, ka luajtur edhe në Indonezi, Tajlandë, Vietnam e Kuvajt. Prishtina është klubi i 20 në karrierën e tij, që nisi në vitin 2008 në Brazil.