Sport

Boshnjaku thotë se rrugën e gjatë synojnë ta përfundojnë me sukses

Kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku, në emisionin Sporti Total në Kohavision, fitoren ndaj Feronikelit 2:1 të dielën e ka vlerësuar si shumë të vështirë.

Ai nënvizoi se skuadra e kishte edhe fatin me veti.

“Normalisht që ishte e ndeshje shumë e vështirë. Mund të them se na përcolli fati. Feronikeli pati mundësi ta barazonte rezultatin. Ndonjëherë të ndihmon Zoti. Secili e dha maksimumin dhe ia arritëm fitoren”, theksoi fillimisht kapiteni Boshnjaku.

Prishtinës i duhet vetëm edhe një pikë nga dy ndeshjet e mbetura për ta risjellë titullin kampion në Prishtinë, të parin prej vitit 2013-të. Për Boshnjakun ende nuk ka përfunduar asgjë.

“Nëse matematika është kështu, nuk mund të themi se ka përfunduar. Na duhet edhe një pikë, patjetër do të mundohemi ta arrijmë. Kemi bërë një rrugë të gjatë. Nuk ia vlen që ta humbësh këtë mundësi të artë”, përfundoi mesfushori Boshnjaku.

Prishtina luan me Gjilanin në udhëtim në xhiron e 35-të, ndërsa e mbyll kampionatin me Ballkanin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.