Kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku dhe mbrojtësi i krahut të majtë, Gledi Mici, e vlerësojnë kundërshtarin e rrethit të tretë të Ligës së Konferencës, Bodo Glimtin. Mirëpo të dy mendojnë se Prishtina ka forcën për ta kaluar edhe këtë pengesë. Prishtina do të luajë kundër kampionit të Norvegjisë, Bodo-Glimtin, të enjten prej orës 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Ky do të jetë takimi i parë i rrethit të tretë kualifikues i Ligës së Konferencës. Ndeshja e kthimit, ku edhe pritet të përcaktohet skuadra që do të kualifikohet në plejofin e kësaj gare, do të zhvillohet pas një jave në Norvegji.
“Nuk besoj që Bodo Glimt është nivel siç ishte Ferencvaroshi. Por sigurisht me kualitet më të lartë si këto ekipet që i eliminuam. Shpresoj që t’i mposhtim dhe të vazhdojmë tutje në Ligën e Konferencës”, deklaroi Boshnjaku për KOHËN, të mërkurën. “Atmosfera në ekip është shumë e mirë, si çdoherë tjetër. Jemi përgatitur dhe presim ditën e ndeshjes. Prishtina ka forcë që ta kalojë këtë kundërshtar. Edhe pse i kemi disa mungesa, mendoj se prapë kemi mundësi, sidomos nëse arrijmë të marrim rezultat pozitiv në ndeshjen e parë si vendas”.
Mendimin e njëjtë me kapitenin e pati edhe Mici.
“Mendoj që Ferencvaroshi ishte kundërshtari më i fortë. Ndaj tyre treguam se mund të luajmë pa frikë. Kështu që besoj se edhe në këto dy ndeshje do të tregojmë forcën tonë, pavarësisht se kundërshtari në letër është më superior”, u shpreh Gledi Mici. “Atmosfera është mjaft e mirë. Jemi të qetë dhe e kemi përgatitur ndeshjen gjatë gjithë javës. Unë mendoj se shanset janë për ta kaluar këtë kundërshtar, edhe pse do të jetë vështirë, pasi ata janë kampion të Norvegjisë. Futbolli norvegjez është mjaft fizik dhe me ritëm të lartë.
Si Boshnjaku ashtu edhe Mici insistojnë se kampionia e Kosovës është e vendosur që të shkojë sa më lart në Ligën e Konferencës pas eliminimit në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve nga Ferencvaroshi.
“Rruga e Prishtinës deri këtu mendoj që është pozitive. Ne e kemi bërë atë që nuk e ka bërë asnjë ekip në Kosovë. Por nuk jemi të kënaqur me kaq. Duam të vazhdojmë sa më lart që të jetë e mundur që ta përfaqësojmë së pari Prishtinën e pastaj të gjithë shtetin e Kosovës”, përfundoi Boshnjaku.
“Objektivi ynë ka qenë që t’i kalojmë minimum dy raunde në Evropë dhe e kemi bërë këtë. Rrugëtimi i Prishtinës mendoj se e ka rritur edhe nivelin e futbollit në Kosovë dhe më vjen mirë që nga viti tjetër përfshihen katër ekipe kosovare në garat evropiane. Merita për këtë ka edhe Drita. Shpresoj që rrugëtimi ynë të mos ndalet këtu, por të vazhdojmë të paktën deri në fazën e plejofit”, shtoi Mici.
Kampionia e Kosovës eliminoi ekipin nga Uellsi, Connah’s Nomads në rrethin e dytë me rezultat të përgjithshëm 6:5. Fitorja 4:1 në shtëpi ia mundësoi kalimin tutje, pasi në duelin e dytë ekipi kosovar humbi 4:2. Ndërkohë, për duelin me Prishtinën ka folur edhe trajneri i ekipit nga Norvegjia, Kjetil Knutsen. Ai është shprehur optimist para kësaj ndeshjeje me kryeqytetasit. Brenga e tij e vetme është temperatura e lartë që po mbretëron në Kosovë.
“Mezi presim ndeshjen. Ne arrijmë në nxehtësinë ekstreme dhe një audiencë fantastike që bën shumë zhurmë dhe ndoshta lë të kuptohet për një përvojë të ngjashme që kishim në kryeqytetin polak në fillim të kësaj vere. Temperaturat janë po aq të larta, por shpresojmë se në arenën e Prishtinës ajri do të jetë më i mirë sesa në stadiumin e Legia Varshavës”, tha Knutsen.
Ai e vlerëson lart Prishtinën. Sipas tij, analizat që kanë bërë tregojnë se bëhet fjalë për një kundërshtar që nuk duhet nënvlerësuar.
“Ne do të luajmë kundër një ekipi të mirë. Një skuadër që mund të thuash është disi e ngjashme me Legian. Ne mendojmë se ata mund të luajnë 3-4-3, edhe pse kanë disa ndryshime në ekip. E kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe analiza na tregon se nuk do të ketë shëtitje në park, edhe pse liga e Kosovës është ndër ligat më të ulëta të renditura në Evropë. Takojmë një kundërshtar të mirë, i cili në ofensivë ka shumë lojtarë cilësorë, mbrohet mirë herë pas here. Kur sulmojnë, sulmojnë shumë. Duhet të jemi të durueshëm dhe të shfrytëzojmë mundësitë që do t’i kemi në një lojë të vështirë si mysafir”, përfundoi Knutsen.
Të dyja skuadrat, të mërkurën në mbrëmje e kanë kryer seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, një ditë para ndeshjes. Për të arritur në rrethin e tretë, Bodo-Glimti eliminoi Valurin e Islandës me rezultatin e përgjithshëm prej 6:0. Të dyja ndeshjet norvegjezët i fituan nga 3:0. Skuadra që arrin të kualifikohet në fazën e plejofit do të përballet me humbësin e ndeshjes ndërmjet NS Mura - Zalgaris Vilinus. Prishtina është ekipi i vetëm nga Kosova që ka mbijetuar deri më tani në kupat e Evropës. Në raundin e dytë të Ligës së Konferencës u eliminua Drita nga Feyenoordi, ndërsa fituesi i Kupës së Kosovës, Llapi i dha fund aventurës në raundin e parë nga Shkupi.