Sport

Bledar Devolli kthehet në Kosovë për ta vazhduar punën aty ku e la – në Superligë

Bledar Devollit i duhet të flasë gjatë nëse fillon të numërojë klubet një nga një ku ka luajtur si futbollist për gati dy dekada. E hiç më pak kohë nuk do t’i nevojitej për të numëruar klubet që i ka udhëhequr për gjashtë vjet, sa edhe e ushtron zejen e trajnerit. Edhe më shumë kohë do t’i merrte po të tregonte për periudhat që ka kaluar në secilën prej klubeve si lojtar e po ashtu edhe si trajner. Si lojtar ka djersitur fanellën e 12 klubeve, kurse përvoja e re te ekipi i Drenicës është e teta si trajner. Në të gjitha thotë se ka kujtime të mira. Si lojtar Devolli ka luajtur te Luftëtari, Bylisi, Tirana, Vllaznia, Tomori, Lushnja, Elbasani, Skënderbeu, Teuta, Partizani, Flamurtari dhe Shkumbini, kurse trajner ka qenë në krye të Luftëtarit, Kamzës, Bylisit, Tomorit, Kastriotit dhe së fundi i Tiranës U19.

“Kudo që kam luajtur ishin përvoja të mira”, e përmbledh Devolli gjithë përvojën e tij si lojtar i 12 klubeve të Shqipërisë. Ai në karrierën e tij 17-vjeçare si lojtar nuk ka lëvizur asnjëherë nga Shqipëria, gjë për të cilën është penduar. Mirëpo, një gabim të tillë nuk do ta bëjë edhe si trajner nëse i jepet mundësia. “Pengu si futbollist më ka mbetur që nuk kam luajtur ndonjë kampionat të huaj. Kisha oferta, por kam gabuar shumë që nuk kam lëvizur. Por këto gabime nuk do t’i bëj si trajner pasi synoj që të punoj jashtë Shqipërisë e Kosovës. Me përkushtim të madh, besoj se do t’i arrij edhe këto”, ka theksuar trajneri 42-vjeçar. Lëvizjen e tij të parë jashtë Shqipërisë, Devolli e bëri dy vjet më parë kur u emërua trajner i KEK-ut të Obiliqit, që garon në Ligën e Parë të Kosovës. Edhe atëbotë KEK-u garonte në Ligën e Parë, por me Devollin në krye e fitoi titullin e kampionit për t’u kthyer në elitë. Megjithatë, Devolli nuk e drejtoi KEK-un edhe në Superligë. Por thotë se përvoja te skuadra nga Obiliqi ka qenë e bukur. “Ishte një përvojë e mirë dhe e bukur, ku u kurorëzuam me titullin e kampionit dhe siguruam kthimin në Superligë. Por, për shkak të ndryshimeve në kryesi unë u largova”, thotë ai. Mundësinë që nuk e pati për ta drejtuar një skuadër në Superligë e realizoi këtë vit, saktësisht një javë më parë kur u emërua trajner i Drenicës. Ai tashmë e ka udhëhequr Drenicën në tri ndeshje duke regjistruar dy fitore e një barazim. Një start të mirë, të cilin nuk e kishte menduar as vetë. Por ai insiston se futbollistët janë më meritorët për këto rezultate pasi e kanë kuptuar menjëherë filozofinë e tij. “Sinqerisht erdha në një terren dhe ekip të panjohur. Informatat për klubin dhe qytetin e Skenderajt i kam marrë nga miqtë në Prishtinë, që kishin fjalë të mira. Për ta bërë gati ekipin për ndeshjen kundër Trepçës ’89 kisha vetëm dy ditë kohë. E kaluam me sukses, kurse në ndeshjen e dytë gjërat ishin më të thjeshta, sepse kisha tri ditë për të punuar. E rëndësishme është që kam gjetur një ekip të mirë dhe futbollistë që më kuptojnë”, është shprehur Devolli.

Interesimi për futbollin e Kosovës

Për ta drejtuar Drenicën, Devolli ishte propozuar nga një menaxher futbolli, të cilin thotë se e ka mik. Takimin për finalizim të marrëveshjes thotë se e kishin bërë në Shqipëri. Ai tregon se për futbollin e Kosovës ka pasur interesim edhe pa u bërë trajner te KEK-u. “Gjithmonë kam pasur njohuri për futbollin e Kosovës, sepse i kam përcjellë ndeshjet pasi doja të isha i informuar për çdo eventualitet”, ka deklaruar trajneri nga Gjirokastra. Ai nuk preferon të flasë për synime. Thotë se vetëm në fund bëhen llogaritë. “Gjithmonë e kam qëllim ndeshjen e radhës ta fitojmë dhe në fund t’i bëjmë llogaritë. E rëndësishme për ne është të ikim nga zona e ftohtë dhe pastaj të shohim”, thotë Devolli, duke iu referuar luftës për ta fituar trofeun e Kupës, që siguron edhe pjesëmarrjen në garat kualifikuese të Ligës së Evropës. Devolli thotë se ndryshimet janë evidente në futbollin kosovar prej kohës qëkur ishte te KEK-u. “Futbolli kosovar në vitet e fundit është ngritur shumë. Kam thënë se brenda pak vjetësh do të ngrihet më shumë se në Shqipëri dhe fjalët e mia po dalin. Gjë e mirë kjo pasi nëpër klube po bëhen investime”, ka thënë ai. Ai nuk flet shumë për kundërshtarët. Thotë se i sheh vetëm kur ka përballje ndaj tyre. “Ky është minimumi për një trajner profesionist, të përcjellim kundërshtarin, të mësojmë deri në detajin e fundit, t’i shikojmë ndeshjet e tyre në televizion, sepse vetëm kështu mund të përmirësohemi”, thotë ai.

Me Tiranën fitoi gjithçka në Shqipëri

Ai ka punuar edhe te Partizani, por si ndihmës i Sulejman Starovës vite më parë punoi si trajner i Feronikelit të Drenasit. Zeja e trajnerit thotë se ka qenë e pashmangshme për të. “Që prej kohës kur isha futbollist e kam menduar këtë punë, sepse kam dy dekada si profesionist dhe zeja e trajnerit është ajo që di ta bëjë më së miri. Sylejman Starova më ka futur në këtë botë dhe më ka ndihmuar shumë kur isha ndihmës i tij te Partiani”, është shprehur Devolli, që thekson se sukseset më të mëdha si futbollist i ka me klubin e Tiranës. “Kam fituar të tre trofetë që mund të fitohen në Shqipëri – titullin, Kupën dhe Superkupën”. Por edhe si trajner thotë se ka pasur përvojë të mirë. Ai thekson se ndër periudhat më të mira i ka kaluar te KEK-u, Kamza. “Përvojë të mirë kam pasur te Kamza, KEK-u, Kastrioti, skuadër ku kemi bërë mrekulli por që nuk e shpëtuam sezonin. Nuk mund ta lë pa e përmendur edhe periudhën time te Tirana U-19, që kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme”, ka thënë Devolli duke iu referuar triumfit në Kupën e Republikës së Shqipërisë. Devolli ka luajtur edhe për Kombëtaren e Shqipërisë. Ka luajtur dy ndeshje miqësore. Ëndrrën thotë se ka të realizuar deri diku. “Kam luajtur në një turne miqësor edhe pse nuk kam luajtur në ndeshje zyrtare. Por përvojën me ndeshjet zyrtare e kam provuar me U21, të paktën deri diku e kam realizuar ëndrrën”, ka thënë Devolli. Për Shpresat e Shqipërisë, Devolli ka luajtur tetë ndeshje nga viti 1998 deri në vitin 2000. Në vitin 2000 i luajti edhe dy ndeshjet për ekipin “A” kombëtar të Shqipërisë.