Skuadra nga Bjellorusia, BATE Borisov nuk ka mbajtur as stërvitje e as konferencë për shtyp të mërkurën në Prishtinë, një ditë para duelit me Ballkanin. BATE ka arritur vonë të mërkurën në Prishtinë dhe ka anuluar të gjitha, pasi sebep për këtë është bërë vonesa që e ka pasur me linjën e fluturimit. Në fakt, BATE Borisovit i është shtyrë fluturimi dhe ekipi bjellorus nuk ka arritur me kohën e caktuar në parë në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. BATE, të enjten do të përballet me Ballkanin në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës.
Ndeshja nis në orën 20:45 dhe zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo është ndeshja e plejofit, ndërsa e kthimit do të luhet pas një jave në Hungari. Arsyeja për këtë është se UEFA nuk lejon ekipet bjelloruse që ndeshjet e garave evropiane t’i luajnë në vendin e tyre për shkak të përkrahjes së Bjellorusisë në luftën e Rusisë ndaj Ukrainës. UEFA ka vendosur që ky ballafaqim të luhet në stadiumin “Mezokovesd Varosi”, që ka kapacitet prej 4500 ulëseve. Skuadra që del fituese nga kjo fazë, do të kualifikohet për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, garë kjo e nivelit të tretë të UEFA-s.
BATE do të përballet me Ballkanin, pasi javën e shkuar u eliminua në raundin e tretë të Ligës së Evropës nga Sheriff Tiraspoli i Moldavisë. Në fakt, BATE rrugëtimin evropian këtë edicion e nisi në Ligën e Kampionëve, ku në rundin e parë e eliminoi Partizanin e Tiranës, përpara se të eliminohet nga Aris Limassoli i Qipros në të dytën. Pas kësaj, BATE garat i vazhdoi në kualifikimet e Ligës së Konferencës, ku u eliminua nga Sheriff Tiraspoli i Moldavisë, me rezultatin e përgjithshëm 7:3. Ditë më parë, trajneri i këtij ekipi, ka folur për duelin e parë që BATE do ta luaj kundër Ballkanit. Kirill Alshevsky në një prononcim për faqen zyrtare të klubit të tij, ka thënë se beson që BATE do të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Ai ka vlerësuar skuadrën e Ballkanit, por ka thënë se është një kundërshtar që mund të kalohet, sidomos në këtë fazë kur avancimi në grupet e Ligës së Konferencës është larg vetëm 180-të minuta.
“Ballkani është një ekip i mirë, i cili ka treguar paraqitje të mira në kualifikimet e këtij edicioni, ku luajti edhe kundër Ludogoretsit. E kemi parasysh se çfarë na pret në ndeshjen e parë në Kosovë, por jemi të gatshëm për këtë duel. Besoj se me paraqitjen tonë dhe planin që e kemi, do të luajmë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Kjo është shumë e rëndësishme për ekipin tonë”, është shprehur Alshevsky. “Do të jenë ndeshje të forta dhe besoj në ekipin tim dhe sigurisht që pres rezultat të favorshëm qysh në ndeshjen e radhës”.
BATE Borisov është ekipi më i suksesshëm i futbollit në Bjellorusi, me 15 tituj kampioni të fituar. Edicionin e shkuar, përfundoi i treti ndërsa përvoja në arenën ndërkombëtare nuk i mungon aspak. Është ekipi i vetëm nga Bjellorusia që ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, në të cilën është kualifikuar në gjashtë raste. Po ashtu, i ka edhe katër paraqitje në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.