Kanë mjaftuar vetëm pak ditë në prova te Lokomotiva e Zagrebit, muaj më parë, që Besfort Hoxha të ftohet sërish nga ekipi i Kroacisë që po synon transferimin e tij. Hoxha është ende vetëm 15-vjeçar. Është i lindur në Finlandë, ku edhe jeton, ndërsa ofertat nuk i mungojnë as nga Italia e Greqia.
Hoxha si futbollist është zhvilluar në akademinë e Honkas. Aktualisht është pjesë e ekipit U18, me gjithë faktin që është më i ri se të tjerët. Hoxha luan dy role në repartin ofensiv, sulmues i krahut të majtë dhe qendërsulmues, ndërsa vlerësohet për talentin.
Ai në fillim të vitit të ardhshëm do të shkojë sërish te Lokomotiva e Zagrebit për stërvitje, përpara se t’i bashkohet edhe Cremoneses. Tashmë ka marrë ftesën e ekipit italian.
“Në muajin shtator, Besforti ka qenë për një javë në prova te Lokomotiva e Zagrebit përmes trajnerit Seid Onbashi. Ai në ditët e para i impresionoi të gjithë, ndërsa tani ka marrë një ftesë tjetër për t’iu bashkuar për dhjetë ditë për përgatitje dimërore në Rovinj me ekipin U18”, thotë Adil Hoxha, babai i Besfortit, që prej 2 deri më 12 shkurt do të jetë te Lokomotiva. Kjo skuadër është e njohur për zhvillimin e lojtarëve të rinj.
“Gjasat janë të mëdha që Besforti të mbetet në Kroaci, por nuk po ngutemi dhe jemi në pritje të ofertës së kroatëve”.
Besforti prej moshës shtatëvjeçare i është bashkuar akademisë së Honkas dhe me sukses ka kaluar të gjitha gjeneratat për të arritur tek ekipi U18.
Honka tashmë i ka ofruar kontratë profesioniste duke pasur parasysh interesimin e skuadrave të tjera. Krahas Lokomotivës e Cremoneses, Hoxha po kërkohet edhe nga Panathinaikosi dhe Iraklisi i Greqisë.
“Para një muaji ishim në Milano të Italisë ku Besforti ka luajtur kundër skuadrave nga Greqia, të cilat tashmë veçse i kanë bërë ftesë. Po ashtu kemi ftesë edhe nga Cremonese pasi ka rënë në sytë e skautëve të këtij ekipi. Ai te Cremonese sigurisht se do të shkojë pasi t’i kryejë përgatitjet me Lokomotivën. Ofertat janë të shumta, por nuk po ngutemi dhe do të vendosim për opsionin më të mirë të mundshëm”, shtoi Adil Hoxha.
Hoxha së fundmi është ftuar edhe në një kamp të Përfaqësueses U16 të Finlandës. Ai gjatë muajit qershor ka qenë në një kamp që është mbajtur nga Përfaqësuesja U15 e Kosovës dhe ka shfaqur nivel të mirë.
Në Finlandë është një komunitet i madh shqiptarësh. Dhe numri i të rinjve që merren me futboll është po ashtu i madh.