Valon Berisha nuk e ka të vështirë të flasë për momentet që i ka kaluar te Norvegjia e më pas te Kosova. Por e ka të vështirë të bëjë ndarje. Thotë se Norvegjia ia hapi dyert për një karrierë të madhe, ndërsa Kosova i ka dhënë dhe i jep emocione të veçanta.
Më të vështirë Berisha mund ta ketë kur Kosova dhe Norvegjia të përballen më 5 qershor në Oslo, në ndeshjen miqësore.
Mesfushori Berisha ka luajtur 20 ndeshje për Norvegjinë para se në vitin 2016 t’i bashkohej Kosovës. Për Kosovën ka luajtur 40 ndeshje deri më tani.
“Ndeshje shumë e veçantë për mua. Do të jetë një ndeshje me shumë ndjenja, me shumë emocione. Unë jam rritur në Norvegji. Në Norvegji kam qëndruar nga mosha 1-vjeçare deri në moshën 19-vjeçare. Jam rritur atje. Kam kryer shkollimin, jam edukuar e po ashtu edhe i kam marrë hapat e parë në futboll. Gjithçka për mua ka filluar në Norvegji. Kam kujtime shumë të mira, por edhe të vështira nga fëmijëria ime në Norvegji”, tha Berisha të mërkurën për KOHËN.
Futbollisti i LASK-ut austriak mezi pret ditën e ndeshjes. E rithekson se për të dhe familjen e tij do të jetë ndeshje emocionale.

“Nuk e di a do të isha ky që jam nëse nuk do të ishte Norvegjia. E kam në zemër, pasi atje më jeton familja dhe besoj se do të jetoj atje pas përfundimit të karrierës. Unë jam shqiptar, e ndiej veten shqiptar. Jam krenar në këtë aspekt dhe Kosovën kam dëshirë ta vendos në hartë dhe me Kosovën të shënoj rezultate pozitive. Kosovën e prezantoj me shumë krenari, patriotizëm dhe zemër”, është shprehur Berisha, i cili të mërkurën festoi 31-vjetorin e lindjes.
Në fakt Berisha u lind në Malmo të Suedisë, jeton në Austri dhe është vëllai i madh i Veton Berishës, që luan për Molden. Vetoni u lind në Egersunt të Norvegjisë. Për Norvegjinë, Vetoni i ka luajtur dhjetë ndeshje.
“Familja ime është në Norvegji, unë e vizitoj shpesh Norvegjinë. Kam një lidhje shumë të fortë me Norvegjinë. Lidhjen time e forcon edhe më shumë paraqitja e vëllait tim për Norvegjinë, që shpresoj të jetë në ekip. Do ta ketë të vështirë, pasi ka shumë lojtarë të fortë norvegjezë që luajnë në klube të mëdha evropiane. Do të ishte kënaqësi të ishte pjesë e ekipit dhe të luanim mes vete”, ka deklaruar Valon Berisha.
Ai e ka zhvilluar në shtator të vitit të kaluar ndeshjen e fundit për Kosovën. Mungoi në katër ndeshjet e fundit për shkak të një lëndimi. Por thotë se do të jetë i gatshëm nëse Kosova ka nevojë për të për ndeshjet e këtij viti.
“Është hera e parë prejse jam pjesë e Kosovës dhe mezi pres të vijë ndeshja. Besoj se do të jetë ndeshje e mirë e po ashtu edhe e rëndësishme, sidomos për ne që fillon një epokë e re dhe e fundit për disa lojtarë me një trajner të ri. Këto ndeshje miqësore janë të rëndësishme për të krijuar një atmosferë të mirë dhe të marrim rezultate pozitive kur do të nisin kualifikimet, fillimisht të Ligës së Kombeve e më pas edhe ciklit të rregullt kualifikues për Kupën e Botës. Ne do të shkojmë për fitore”, ka theksuar Berisha.
Ish-mesfushori i Vikingut, Salzburgut, Lazios, Fortuna Duesseldorfit, Remsit dhe Melbourne Cityt, me fanellën e Kosovës ka shënuar katër gola. Ai thotë se ka kujtime të mira edhe gjatë paraqitjeve me fanellën e Norvegjisë.
“Në Oslo kam luajtur, kam stërvitur. Aty kam luajtur shumë ndeshje dhe kam kujtime të mira prej kohës kur kam përfaqësuar Norvegjinë. Do të jetë ndeshje e veçantë dhe me emocione. Unë i kam dhënë shumë Norvegjisë. Kam qenë krenar që kam përfaqësuar Norvegjinë, pasi si një i huaj që përfaqëson një shtet tjetër, gjithmonë ka qenë gjë e madhe. Është dashur të isha dyfish më i mirë se një norvegjez për të qenë pjesë e Përfaqësueses A. Për mua ka qenë një sukses i madh për të luajtur 20 ndeshje për Norvegjinë para se të luaj për Kosovën. Edhe Norvegjia më ka dhënë shumë. Atje jam rritur, na kanë dhënë mbështetjen, shkollimin e kam pasur atje”, ka thënë Berisha.
Valon Berisha është prej shumë pak lojtarëve që ka lënë një përfaqësuese evropiane për Kosovën.