Prishtinë, 21 mars - I pari ishte në listën e publikuar të dielën nga përzgjedhësi i Shqipërisë, Edy Reja. Portieri Etrit Berisha pret të jetë zgjedhja e parë edhe në portën e Shqipërisë për tri ndeshjet e këtij muaji, ato të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katari 2022”.
Reja te dielën ka publikuar listën prej 28 lojtarëve, kurse të hënën do ta nisë grumbullimin për duelet e këtij muaji. Shqipëria do të përballet me Andorrën, Anglinë dhe San Marinon në kuadër të Grupit I eliminator.
Berisha, që është pjesë e SPAL-it, ekip që bën gara në Serie B, pritet të jetë titullar te Shqipëria në të gjitha këto ndeshje. Reja në listën e tij ka përfshirë tre portierë. Ka ftuar edhe atë të Lazios, Thomas Strakosha, që këtë edicion ka pasur telashe me lëndime dhe ka humbur vendin e titullarit te ekipi i njohur italian. Strakosha së fundi ka qenë zgjedhja e parë te Shqipëria.
Berisha është shprehur i kënaqur me formën aktuale, ndonëse fillimin nuk e pati të lehtë shkaku i infektimit me koronavirus.
“Normalisht që është shumë e rëndësishme për mua që jam rikthyer pas disa problemeve që kam pasur me COVID-19 dhe disa problemeve të vogla fizike. Kam punuar shumë që të rikthehem në formën më të mirë të mundshme për këto ndeshje tejet të rëndësishme të cilat i kemi në këto eliminatore”, është shprehur Berisha për KOHËN.
Më 25 mars Shqipëria përballet në udhëtim me Andorrën, kurse tri ditë më vonë e pret Përfaqësuesen e Anglisë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Ndërsa ndeshjen e fundit të këtij muaji do ta luajë më 31 mars kundër San Marinos në udhëtim. Pjesë e grupit të Shqipërisë janë edhe Polonia e Hungaria.
“Të tri ndeshjet të cilat do t’i luajmë do të jenë të vështira. Takimin e parë do ta kemi ndaj Andorrës dhe është një ekip i vështirë. E njohim mirë Andorrën pasi kemi luajtur ndaj saj dhe është një ekip që luan kryesisht me kundërsulme dhe duhet të fokusohemi që të mos gabojmë në këtë takim”, është shprehur Berisha.
Anglia vlerësohet si favorite e këtij grupi, por Berisha insiston se Shqipëria ka cilësitë e duhura për të bërë ndonjë befasi. Kur e thotë këtë, Berisha bazohet në rezultatet e mira të Shqipërisë që i pati në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, ku arriti të ngrihet në Ligën B.
“Ndeshja tjetër është ajo me Anglinë, për të cilën i kemi gjitha mundësitë për ta përgatitur sa më mirë që është e mundshme dhe shpresoj që të kalojmë sa më mirë me Anglinë, pasi është e rëndësishme për ne, për moralin, për ecurinë tonë. Nëse arrijmë rezultat pozitiv ndaj Anglisë, do të rriteshin shanset tona dhe do të ishte edhe më motivuese për të vazhduar me rezultatet pozitive në fazën e grupeve”, është shprehur Berisha.
Ai është optimist se ky muaj do të jetë i rezultateve pozitive për Shqipërinë, pasi thotë se kështu do të rritet motivi i ekipit për të synuar një pozitë sa më të favorshme në grup.
“Besoj se kemi kualitetet e duhura për të bërë një befasi të këndshme në këto eliminatore, por kjo sigurisht që do të varet edhe prej rezultateve që do t’i arrijmë në ndeshjet e para pasi nëse kemi rezultate pozitive atëherë besimi do të rritet dhe do të jetë shumë e rëndësishme se si do t’i nisim këto tri ndeshje”, është shprehur Berisha. 32-vjeçari me fanellën e Shqipërisë ka debutuar në vitin 2012 dhe deri më tani ka 62 paraqitje.
Këtë edicion Berisha ka 20 ndeshje me skuadrën italiane, të cilën po synon ta ndihmojë të rikthehet në Serie A pas një viti. Ai ka kontratë me SPAL-in deri në vitin e ardhshëm, kurse karrierë në Itali ka bërë edhe te Atalanta e Lazio.