Sulmuesi Besart Berisha dhe mbrojtësi i krahut të majtë, Kristi Vangjeli më nuk janë pjesë e skuadrës së Prishtinës.
Burime të KOHËS brenda klubit kryeqytetas, kanë bërë të ditur se tashmë marrëveshja mes të gjitha palëve është arritur për shkëputjen e kontratës, gjë që pritet së shpejti të bëhet zyrtare.
Sipas burimit, si Berisha ashtu edhe Vangjeli kanë pranuar ta ndërpresin bashkëpunimin për shkak të lëndimit.
“Me marrëveshje të dyanshme është shkëputur kontrata me Besart Berishën dhe Kristi Vangjelin. Të gjitha palët e përfshira kanë treguar korrektësi për të mos e vazhduar bashkëpunimin. Kjo është bërë për shkak se lojtarët shkaku i lëndimeve nuk kanë mundur të japin kontributin dhe nuk kanë arritur të përshtaten në ekip”, ka bërë të ditur burimi brenda Prishtinës.
Berisha 36-vjeçar iu bashkua Prishtinës në fillim të muajit shtator dhe firmosi kontratë deri në fund të sezonit. Ai me Prishtinën, regjistroi vetëm tri paraqitje në Superligë.
Ndërkohë, Vangjeli 36-vjeçar u transferua te Prishtina para fillimit të edicionit dhe në dhjetë ndeshje në të gjitha garat, pati vetëm një asistim.