Sport

Bellinghami po e ndez Kampionatin Botëror

Jude Bellingham

Jordan Henderson e dinte saktësisht kë të falënderonte pasi zhbllokoi rezultatin në fitoren 3:0 të Anglisë kundër Senegalit në Kupën e Botës. Duke drejtuar gishtin në drejtim të Jude Bellinghamit, Henderson iu drejtua shokut të skuadrës përpara se ta përqafonte fort për ta festuar golin së bashku. Me tifozët e Anglisë që u pasionuan brenda stadiumit “Al Bayt” të dielën, Henderson vazhdoi të tregojë se Bellingham ishte ai që meritonte përshëndetjen, pasi vrapimi dhe krosimi i tij kishin krijuar golin.

“E pabesueshme, nuk mund të ndalem të them gjëra të mira për të”, tha Henderson.

Lavdërimet për Bellinghamin, i cili luan për Borussia Dortmundin në Bundesligë, pushtuan edhe rrjetet sociale.

“O Zot, Bellighami është jashtëzakonisht i mirë. Ai është lider në këtë ekip. Prindërit e tij duhet të jenë shumë krenarë”, shkroi Gary Lineker në Twitter.

Në moshën 19-vjeçare, Bellinghami po shfaqet si zemra e skuadrës angleze. Aq shumë saqë edhe 32-vjeçari Henderson, i cili ka fituar çmimet më të mëdha të futbollit me Liverpoolin, është mahnitur nga talenti i tij. Mendimin e njëjtë për Bellighamin e ka edhe kapiteni i Anglisë, Harry Kane.

“Ai është një lojtar fantastik, ka gjithçka me dhe pa top," tha Kane, i cili shënoi golin e parë në këtë Botëror kundër Senegalit pas një tjetër vrapimi nga mesfushori i Borussia Dortmundit.

Shpejtësia, energjia dhe inteligjenca e panë atë të dominonte në mesfushë dhe të rriste më tej reputacionin tek Anglia. Paraqitjet e Bellinghamit me siguri janë vënë në dukje nga kampionia në fuqi, Franca, me të cilin Anglia takohet në çerekfinale të shtunën.

Bellingham ishte vendosur tashmë për një ankand mes klubeve më të mëdha të Evropës verën e ardhshme, me Dortmundin që ia ka caktuar çmimin prej 150 milionë eurosh. Dhe paraqitjet e tij në Kupën e Botës duhet vetëm të rrisin konkurrencën për shërbimet e anglezit.

Manchester Unitedi ka provuar dhe ka dështuar ta angazhojë, ndërsa trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, është një admirues i konfirmuar i Bellinghamit. Liverpooli është lidhur vazhdimisht me një lëvizje për të.

“Ai do të jetë një superyll”, tha ish-mesfushori i Unitedit, Roy Keane. “Unë nuk kam parë një mesfushor të ri të performojë kështu për vite të tëra”.

Lavdërimet nuk janë shumë të zakonshme në qarqet e futbollit britanik. Keane ishte kapiten i ekipit dominues të Unitedit në vitet 1990 dhe fillim të viteve 2000. Ai është gjithashtu i njohur për komentet prerëse qëkur u fut në botën e transmetimit. Por Bellingham, me sa duket, është një forcë unifikuese kur bëhet fjalë për vlerësimin e një talenti që ishte evident që në moshën 16-vjeçare, kur hyri në ekipin e parë të Birminghamit dhe bëri që Unitedi dhe të tjerat të përpiqeshin ta transferonin. Në vend të kësaj, ai zgjodhi Dortmundin, i cili ishte një opsion më pak magjepsës, por i ka dhënë hapësirë për të lulëzuar.

“Unë nuk mendoj se mund të kishim parashikuar se sa shpejt ai do të piqej”, tha trajneri i Anglisë, Gareth Southgate. “Ai vazhdimisht po rritet dhe po e konfirmon veten si njëri prej mesfushorëve më të mirë”.

Bellingham u bë golashënuesi i dytë më i ri i Anglisë në një Kupë Botërore, pas Michael Owenit, me golin me kokë në ndeshjen hapëse ndaj Iranit. Ai tani është lojtari më i ri që ka dhënë një asistim në fazën nokaut të turneut.

“Unë mendoj se pikëpamja që kemi pasur gjithmonë është se ne kemi dashur të investojmë te lojtarët e rinj mbi bazën se ata mund të jenë diçka e veçantë në të ardhmen,” shtoi Southgate.

Ky investim, ashtu si Bellingham, po i shpaguhet Anglisë dhe madje në turneun më të madh të futbollit.