Sport

Bayerni në Stamboll për fitoren e radhës në Champions

Bayern Munichu do të synojë ta vazhdojë rekordin prej 15 fitoreve në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, të martën mbrëma me një triumf në udhëtim te kampioni i Turqisë, Galatasaray.

Klubi bavarez është i pamposhtur në 36 ndeshjet e fundit në fazën e grupeve – gjithashtu rekord i garës – por do ta ketë detyrë të vështirë në Stamboll, ku Galatasaray barazoi 2:2 me Copenhagenin në ndeshjen e parë. Pas aij barazimi, Galatasaray befasoi Manchester Unitedin duke e mposhtur në “Old Trafford” me rezultatatin 3:2, më 3 tetor.

Galatasaray e mposhti rivalin e qytetit të Stambollit, Beshiktashin, 2:1, të shtunën me dy golat e sulmuesit argjentinas Mauro Icardi. Galatasaray regjistroi fitoren e gjashtë në po aq ndeshje të luajtura në të gjitha garat, që nga barazimi me Copenhagenin.

Galatasaray ka 4 pikë në Grupin A të Championsit, dy më pak se Bayerni që i ka fituar dy ndeshjet e para të fazës grupore dhe është lider.

Dueli mes Galatasarayt dhe Bayernit nis në orën 18:45. Ekipit turk mund t’i mungojë lojtari kryesor, sulmuesi Icardi. Ai pësoi lëndim ndaj Beshiktashit dhe nuk dihet nëse do të aktivizohet ndaj Bayernit. Në 15 ndeshje të luajtura deri më tani në të gjitha garat këtë edicion, Icardi ka shënuar 14 gola dhe ka asistuar dy herë.

Te Galatasaray po shpresojnë që argjentinasi të jetë në gjendje të paraqitet kundër ekipit gjerman, të cilin e vlerësojnë favorit në këtë ndeshje.

“Do të shohim nëse Icardi do të jetë i gatshëm për lojë. Vendimin për Icardin do ta marrim në ditën e ndeshjes pasi të konsultohemi me lojtarin dhe stafin mjekësor. Shpresoj që ai të luaj, pasi mungesa e tij do të ndihet shumë në këtë ndeshje Championsi, sidomos ndaj një ekipi si Bayerni”, ka thënë trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk të hënën në konferencën për shtyp.

Trajneri turk pranon forcën e Bayernit, por insiston se ekipi i tij do të futet për rezultat pozitiv duke pasur parasysh se do ta ketë edhe përkrahjen e madhe të tifozëve. Ai pret një tjetër mbrëmje të madhe në Champions, sidomos pas asaj ku Galatasaray triumfoi në Angli ndaj Manchester Unitedit.

“Është një ndeshje e rëndësishme në Champions. Kemi katër pikë dhe duam të shtojmë edhe një rezultat pozitiv ndaj Bayernit. Duhet ta shfrytëzojmë përparësinë e terrenit vendas dhe të bëjmë një paraqitje të mirë. Sigurisht nuk do të jetë lehtë pasi Bayerni ka vite që nuk ka humbur në grupe por ne jemi të motivuar”, është shprehur tutje Buruk.

Për dallim prej Galatasarayt, Bayerni tashmë ka mungesa të konfirmuara për duelin në Stamboll. Mesfushori Leon Goretzka nuk do të paraqitet për Bayernin pas lëndimit që e mori në ndeshjen e fundit kampionale, ku pësoi frakturë në dorë dhe do t’i nënshtrohet operimit. Goretzka mund të mos jetë mungesa e vetme e Bayernit ndaj Galatasarayt, ka paralajmëruar trajneri Thomas Tuchel. Serge Gnabry, Raphael Guerreiro, Dayot Upamecano dhe Noussair Mazraoui munguan në fitoren 3:1 të Bayernit ndaj Mainzit. Në dyshim mbetet edhe mbrojtësi Matthijs De Ligt.

“Na pret një ndeshje e vështirë pasi duhet të shfrytëzojmë vetëm lojtarët që do t’i kemi në dispozicion dhe kjo do të jetë sfiduese. Futbollistët janë të motivuar dhe shpresoj që pas rikuperimit prej dy ditësh, ekipi do të jetë gati për një tjetër ndeshje në Stamboll. Kemi një mision të vështirë para vetes, por do të bëjmë të pamundurën për fitoren e radhës”, paralajmëroi Thuchel.

Bayerni fillimisht fitoi 4:3 ndaj Manchester Unitedit në “Allianz Arena” e më pas fitoi 2:1 në Kopenhagë.

Kjo është përballja e parë midis Galatasarayt dhe Bayernit që nga raundi i para i Kupës Evropiane në edicionin 1972/73. Atëbotë ekipet patën barazuar në Stamboll, përpara se Bayerni të triumfojë bindshëm në duelin e kthimit në Gjermani me rezultatin 6:0.

Në duelin tjetër të grupit A, Manchester Unitedi do ta kërkojë fitoren e parë këtë edicion në Champions. Pas disfatave nga Bayerni e Galatasaray, skuadra angleze do të luajë në udhëtim te Copenhageni, nga ora 21:00. Unitedi zë vendin e fundit në grup pa pikë, derisa ekipi nga Danimarka ka një pikë pas barazimit që e mori në Stamboll në xhiron e parë kundër Galatasarayt.

Të martën mbrëma luhen ndeshjet e treta edhe në grupet B, C dhe D. Sfida të tjera vendimtare janë në program. Prej orës 18:45 është edhe ndeshja e Grupit D, Inter Red Bull Salzburg.

E martë

Grupi A

Galatasaray – Bayern M. (18:45)

Man. Utd – Copenhagen (21:00)

1. Bayern M. 2 6

2. Galatasaray 2 4

3. Copenhagen 2 1

4. Man. Utd 2 0

Grupi B

Lens – PSV Eindhoven (21:00)

Sevilla – Arsenal (21:00)

1. Lens 2 4

2. Arsenal 2 3

3. Sevilla 2 3

4. PSV 2 1

Grupi C

Braga – Real Madrid (21:00)

U. Berlin – Napoli (21:00)

1. Real Madrid 2 6

2. Napoli 2 3

3. Braga 2 3

4. U. Berlin 2 0

Grupi D

Inter – Salzburg (18:45)

Benfica – R. Sociedad (21:00)

1. R. Sociedad 2 4

2. Inter 2 4

3. Salzburg 2 3

4. Benfica 2 0