Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është pjesërisht i kënaqur me pikët e fituara në stinorin vjeshtor të Superligës së Kosovës në futboll. Ai thotë se Llapi ka mundur ta përfundojë me më shumë pikë të fituara pjesën e parë të kampionatit. Megjithatë, Batatina thotë se nuk brengoset që Ballkani është gjashtë pikë para ekipi të tij.
Ai i paralajmëron Ballkanin dhe rivalët e tjerë në garën për titull të kampionit. Thotë se në pranverë Llapi do të jetë i frikshëm.
“Rivalët e Llapit kanë filluar qysh tash të frikësohen. Llapi gjithmonë e ka pasur të vështirë sezonin vjeshtor. Asnjëherë nuk ka mundur të jetë në këtë nivel që është tash. Në vitet e kaluara Llapi në vjeshtë nuk ka qenë mirë, por në të dytën ka bërë kërdi. Por çka do të ndodhë tash kur Llapi është në formë optimale në sezon të parë dhe ka kapur ciklin e komponimit dhe rezultateve pozitive, çka do të ndodhë në pranverë? Besoj që Llapi ka një superfuqi të djemve të cilët janë punëtorë, ku ka organizim e disiplinë”, ka thënë Batatina të mërkurën për KOHËN.
KOHA përcolli nga afër stërvitjen e Llapit, të zhvilluara në fushën me bari sintetik në Dumosh të Podujevës. Llapjanët të shtunën do të nisen drejt Antalias, ku do ta kryejnë fazën e fundit përgatitore për stinorin pranveror që nis më 10 shkurt.
Batatina thotë se Llapi synon titullin e kampionit.
“Mendoj se Llapi meriton ta fitojë titullin e parë në histori. Dy kupa i kemi fituar, Superkupën po ashtu dhe vetëm titulli i mungon. Por pse jo të bëhemi kampion, duke ditur se asgjë nuk na mungon dhe nëse kemi pak fat besoj se 10 % i duhet fati Llapit dhe 90 % ta kryejmë punën vetë bashkërisht me lojtarët”, është shprehur Batatina.
Llapi e mbylli stinorin vjeshtor në pozitën e dytë me 34 pikë. Kampion vjeshte u shpall Ballkani, që, po ashtu, ka synim titullin.
“Pak më të vëmendshëm po të ishim mendoj se do të kishim më shumë pikë. Por e kuptoj skuadrën, e kuptoj që më është dashur pak kohë për t'u komponuar ekipi dhe në momentin që është komponuar ekipi edhe loja edhe rezultatet kanë ndryshuar”, është shprehur Batatina.
Edhe kapiteni i skuadrës, Hamdi Namani, ka bindjen se Llapi mund ta fitojë titullin e kampionit.
“Kemi një ekip shumë të mirë, kemi ecur mirë në këto ndeshjet e fundit dhe pse të mos luftojmë deri në fund për titullin kampion”, është shprehur Namani.
Llapi vlerësohet një prej klubeve më të organizuara në vitet e fundit në Kosovë. Qëndron mirë edhe financiarisht. Batatina shkon tutje.
“Mund të them që tash e ndiejmë veten si një klub evropian. Edhe pse jemi në Kosovë, e di që organizimi është në të gjitha aspektet, as në Evropë nuk ka kushte më të mira se Llapi duke filluar nga financat që është shumë me rëndësi, pjesa organizative, dhe puna profesionale është duke u bërë. Mendoj që Llapi e ka momentin të bëjë maksimumin dhe ta sjellë titullin e kampionit në Podujevë”, ka theksuar Batatina.
Ai i vlerëson lojtarët që ka nën urdhra. Thotë se ka lojtarë edhe për Përfaqësuesen e Kosovës.
Ilir Krasniqi dhe Muhamet Hyseni kanë luajtur ndeshje zyrtare për Kosovën në ciklin kualifikues për “Euro 2024”. Ka edhe lojtarë të tjerë që luajnë në gjenerata të reja të Kosovës. Te Llapi ka synime për t’i shitur gjatë këtij viti disa lojtarë.