Sport

Batatina thotë se Vukçeviqi u largua se nuk bindi, jo shkaku i pankartës

Sulmuesi nga Mali i Zi, Igor Vukçeviq, është larguar nga Llapi me të përfunduar aventura evropiane e ekipit kosovar. Largimi i tij është bërë vetëm tri javë pasi Vukçeviqi u prezantua te Llapi. E sipas mediumeve në Mal të Zi, sulmuesi ka marrë vendim të largohet pas ndeshjes së kthimit të Llapit ndaj Buduqnostit në kuadër të raundit të parë të Ligës së Konferencës.

Arsye për këtë ishte pankarta e vendosur nga tifozët e Llapit në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”. Tifogrupi “Legjendat” gjatë ndeshjes shpalosen një pankartë me motive nacionale të hartës së Shqipërisë etnike, ku ishte i përfshirë edhe Mali i Zi dhe kishte mbishkrimin “Ju e keni radhën”.

Dueli i parë mes Llapit dhe Buduqnostit në Podgoricë ishte me tensione të larta, pasi tifozët e ekipit vendas shfaqën pankarta fyese për shqiptarët, si dhe gjuajtën me gjësende në drejtim të bankinës së ekipit kosovar. Për këtë dështim të organizimit të ndeshjes, Buduqnosti mori një gjobë prej 35 mijë eurosh nga UEFA.

“Pankarta skandaloze në ndeshjen mes Llapit dhe Buduqnostit është arsyeja e largimit të futbollistit malazias Igor Vukçeviq nga klubi kosovar”, shkroi sajti “Cgsport.me”.

Megjithatë, është trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili kategorikisht ka mohuar një gjë të tillë. Ai ka pranuar se Vukçeviqi nuk është më pjesë e Llapit, por ka shtuar se janë arsyet profesionale që kanë çuar deri te largimi i sulmuesit malazias. Sipas tij, Vukçeviqi nuk ka bindur me atë çfarë ka treguar në fazën përgatitore. Vukçeviqi në ndeshjen e parë në Podgoricë, të cilën Llapi e humbi 2:0, nuk u aktivizua fare, ndërsa të kthimit në Prishtinë (2:2) luajti në 15-të minutat e fundit.

“Arsyeja e largimit të tij është se ne kemi pasur marrëveshje për garat e Evropës dhe ai nuk ka plotësuar pritshmëritë e klubit. Pra, nuk ishte nivel i sulmuesit që e kërkon Llapi. Në përgatitjet para ndeshjeve kemi parë që nuk i përmbush kërkesat tona për të qenë pjesë e skuadrës për sezonin e ri”, tha Batatina për KOHËN, duke insistuar se lajmet e publikuara nëpër mediumet malaziase janë tërësisht të pavërteta. “Nuk ka qenë në nivelin e duhur me performancën që ka treguar dhe për këtë nuk e kemi parë të arsyeshme të vazhdojmë bashkëpunimin. Kjo është arsyeja e vërtetë e largimit të tij dhe nuk ka të bëjë asgjë me pankartën në ndeshjen e fundit ndaj Buduqnostit”.

Vukçeviqi te Llapi qe prezantuar më 25 qershor dhe menjëherë i qe bashkuar ekipit në përgatitje në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ai me Llapin kishte firmosur kontratë trevjeçare.

“Igor Vukçeviq, sulmues i qendrës, ka përforcuar sulmin e skuadrës sonë. Vukçeviqi së fundmi ishte pjesë e skuadrës Kom Podgorica, tek të cilët realizoi 17 gola në 34 paraqitje, duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës. Karrierën Vukçeviq e ka filluar tek skuadra e Buduqnost Podgorica, kurse ka mbrojtur ngjyrat edhe të OFK Petrovaq. Sulmuesi shtatlartë është bashkuar me ekipin në përgatitje në Ohër dhe ka firmosur kontratë që e mban atë lidhur me klubin për 3 vjetët e ardhshëm”, kishte shkruar Llapi në njoftimin në Facebook.

Sikurse sezonin e shkuar, Llapi edhe këtë edicion u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Këtë sezon u eliminua nga Buduqnosti me rezultatin e përgjithshëm 4:2, ndërsa edicionin e shkuar nga skuadra e Shkupit.