Trajneri i Llapit, Tahir Batatina i është gëzuar fitores së arritur në ndeshjen kundër Ulpianës. Llapi është kthyer me fitore 2:0 në stadiumin “Zahir Pajaziti”, punimet në të cilin i përuruan të dielën. Ndeshja i takoi javës së 19-të dhe ishte e para e stinorit pranveror. Batatina premton një Llap të fuqishëm në pranverë.
“Pjesën e parë festuam kthimin në ‘Zahir Pajaziti’, ndërsa në të dytën fituam. Ka qenë një pjesë e parë emocionale për shkak se jemi kthyer në ‘Zahir Pajziti’. Në pjesën e dytë kam ndryshuar pjesën taktike dhe erdhëm deri te goli u parë e më pas edhe të dytin. Kemi mundur të shënojmë më shumë gola. Në pjesën e dytë kemi treguar se në Llap nuk do të mposhtemi, këtë e ka treguar pjesa e dytë e zhvilluar nga ana jonë”, ka thënë Batatina.
Me fitoren kundër Ulpianës, Llapi mbetet në vendin e katërt. Ka 32 pikë, katër më pak se Gjilani e Ballkani që janë në vendet tre dhe dy dhe pesë pikë më pak se Drita lidere. “Këto pesë pikë do të shkrihen si bora e pranverës. Llapi do të jetë në krye të tabelës. Kemi mundur të jemi edhe më herët, por shumë ndeshje i kemi humbur shkaku i infrastrukturës. Pra, kemi humbur shumë pikë në stinorin vjeshtor si vendas. Sulmuesin kryesor e kam ruajtur për ndeshjen kundër Dritës. Nuk ka qenë e lehtë të vijmë deri te kjo ditë, deri te ky moment, por me sakrificë kemi arritur. Përveç ndeshjeve të Llapit, ‘Legjendat’ do të mund të shohin ndeshje të U-21, U-19 e po ashtu edhe ndeshje miqësore te Përfaqësueses A”, ka theksuar trajneri Batatina.