Trajneri Tahir Batatina u shpreh tejet i lumtur me pikët e plota të marra në Drenas te skuadra e Feronikelit. Falë fitores së arritur, Llapi është ngjitur në vendin e pestë me 15 pikë, dy më shumë se Prishtina që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Trajneri i Llapit tha se po i duhet të bëj rotacione vazhdimisht për shkak të mungesave, por se një gjë të tillë nuk e ka problem.
“Kemi bërë dhe po bëjmë vazhdimisht ndryshime për shkak të kartonëve dhe lëndimeve që i kemi në skuadër. Por unë nuk e kam problem një gjë të tillë pasi e kam një ekip nga i cili mund t’i bëj dy skuadra dhe mund të bëj rotacione. Sa i përket lojës me Feronikelin, i jemi qasur me seriozitetin më të madh që nga minuta e parë. Ne duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të shënojmë rezultate pozitive edhe në ato takime që na presin para”, tha Batatina.
Llapi në ndeshjen e radhës luan në udhëtim te Malisheva.
Trajneri i Feronikelit, Faruk Elshani, nuk u prononcua për media pas ndeshjes. Feronikeli në xhiron e 13-të luan në udhëtim te Dukagjini.