Llapi është skuadra kosovare që ka marrë dënimin më të ashpër nga Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s. Ekipi nga Podujeva është gjobitur me 58 mijë euro dhe dy ndeshje pa praninë e shikueseve në garat evropiane. 50 mijë euro dhe dy takime me dyer të mbyllura janë shqiptuar për shkak të sjelljeve, siç shkruan në vendim, raciste të tifozëve, hyrjes së tyre në fushë, hedhjeve së gjësendeve, ndezjes së fishekzjarrëve dhe shfaqjes mesazheve provokuese në Prishtinë. Ndërkohë, me 8 mijë euro UEFA e ka dënuar Llapin për shkak të bllokimit të rrugëve publike, në dalje të stadiumit. Llapi është obliguar që në ndeshjet e radhës në Evropë të përçojë mesazhin “NoToRacism” (Jo Racizmit). Këto gjoba nga UEFA i janë shqiptuar për ndeshjen e dytë kundër Buduqnostit në kuadër të rrethit të parë të Ligës së Evropës. Takimi është luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 14 korrik. Të pranishëm në stadium kanë qenë rreth 10 mijë shikues. Mobilizimi i madh tek ekipi nga Podujeva ka ndodhur pas fyerjeve që Llapi dhe në përgjithësi Kosova mori në ndeshjen e parë që ishte zhvilluar një javë më herët në Podgoricë.
Tifo-grupi “Varvari” kishte shpalosur pankartë e fotografi fyese dhe përqeshëse ndaj shqiptarëve. Po ashtu, ka pasur thirrje antishqiptare. Vendimin e organit të UEFA-s, trajneri i skuadrës së Llapit, Tahir Batatina, e ka quajtur qesharak dhe politik.
“Vendimi i organit të UEFA-s është qesharak dhe mund të them edhe vendim politik po ashtu, sepse ne jemi vend i vogël. Nuk krahasohet me atë që ka ndodhur në ndeshjen e parë në Podgoricë, e as me atë që ka ndodhur në Greqi, ku janë sulmuar tifozët e Kosovës”, u shpreh Batatina për KOHËN të enjten.
Sipas tij, dënimi i ashpër ka ardhur për shkak të flamurit kombëtar. Batatina ndihet krenar dhe nuk është aspak pishman për shfaqjen që është parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në duelin e kthimit ndaj Buduqnostit. Madje, insiston se do të kërkojë nga tifozët e skuadrës së tij që në çdo ndeshje ta shfaqin flamurin kombëtar.
“Llapi është dënuar për flamujt kombëtarë që janë shfaqur në tribuna. Unë nuk jam aspak pishman që e kam mbushur stadiumin me shikues dhe do ta bëjë sa herë që do të ketë nevojë. Unë do t’ua bëjë obligim tifozëve të Llapit që në çdo ndeshje të kenë me vete edhe flamuj kombëtarë. Ne nuk mund ta humbim identitetin. Kudo që të jetojë, në cilindo shtet, unë jam shqiptar dhe ndihem krenar”, theksoi ai.
Batatina insiston se nuk ka pasur racizëm dhe asgjë kundër skuadrës së Buduqnostit apo Malit të Zi. Thotë se kishte vetëm hedhje të gjësendeve të vogla.
“Nuk ka pasur racizëm, nuk ka pasur fyerje ndaj Buduqnostit e as ndaj Malit të Zi. Ka pasur vetëm hedhje të gjësendeve të vogla. Nuk ka pasur asnjë pankartë kundër askujt”, është shprehur Batatina. “Ne jemi dënuar për flamurin kuqezi. Pastaj, bllokimi i rrugës afër stadiumit është rregull që ndodh çdo kund në botë. Policia i bllokon rrugët afër stadiumit”.
Batatina paralajmëron ankesë në vendimin e UEFA-s. Thotë se kanë fakte të mjaftueshme dhe shpreson që dënimi të ulet.
“Ne kemi fakte dhe të gjitha do t’i paraqesim. Unë kam angazhuar avokat dhe do ta dëshmojmë të kundërtën asaj që është vendosur dhe presim që vendimi të ndryshohet. Ne nuk e kemi goditur askënd, ndërkaq në ndeshjen e parë në Podgoricë shikuesit kanë hedhur gjësende në drejtim të bankës rezervë ku ishim ne”, shtoi ai.
Në fund, Batatina pohon se në aspektin financiar, Llapi nuk do të dëmtohet fare. Madje, konfirmon se dy ditë para vendimit të UEFA-s, i ka paguar pagat e lojtarëve.
“UEFA na ka bërë nervoz më këtë vendim. Por, Llapin nuk e dëmton financiarisht. Ne i kemi kryer obligimet ndaj lojtarëve dy ditë para se ta marrim vendimin. Financiarisht jemi shumë mirë dhe nuk kemi telashe, falë kryesisë së Llapit dhe donatorëve të shumtë që kemi në klub”, përfundoi Batatina.
Para Llapit, UEFA e ka gjobitur edhe skuadrën e Buduqnostit, por dënimet ishin më të lehta.
“Është vendosur të gjobitet Buduqnosti me 20 mijë euro dhe urdhërohet ky klub të bëjë mbylljen e pjesshme të stadiumit gjatë një ndeshjes të UEFA-s, për sjelljen raciste të tifozëve të tij. Buduqnosti do të bëjë të ditur për UEFA-n se cilin sektor do ta mbyllë, që duhet të përfshijë tribunën veriore dhe të përbëhet nga të paktën 3000 vende”, thuhet në vendimin e UEFA-s.
Buduqnosti është urdhëruar që të vendosë një pankartë në ndeshjen e ardhshme evropiane, ku do të shkruajë “#NoToRacism”. 20 mijë euro nuk është gjoba e vetme ndaj Buduqnostit. Për hedhje të gjësendeve në fushë, klubi malazias është dënuar me 10 mijë e 125 euro. Ndërsa për fishekzjarrë, Buduqnosti do të paguajë 5250 euro. Buduqnosti po ashtu është paralajmëruar për sjellje të pahijshme të ekipit. Llapi këtë edicion u paraqit për herën e dytë rresht në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Në të dy rastet është eliminuar në rrethin e parë kualifikues. Shkupi dhe Buduqnosti kanë qenë skuadrat që e kanë eliminuar klubin kosovar.