Sport

Batatina: Llapi i ka dy ekipe

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është shprehur shumë i kënaqur që skuadra e tij e siguroi kalimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës.

Llapi eliminoi Ferizajn duke e mposhtur si mysafir 2:0.

Batatina ka theksuar se Llapi i ka dy ekipe brenda vetës.

“Mendoj që ndeshjet e para të Kupës janë të vështira, pa marr parasysh se me kënd ndeshesh. Ferizaj ka potencial me qenë në Superligë dhe ka ekip të mirë. Kemi qenë të vëmendshëm ndaj tyre. Kemi planifikuar të shënojmë në pjesën e parë dhe të jemi më të qetë dhe ai arritëm qëllimit. Jam i kënaqur me performancën. Paraqitje e sotme ka treguar se Llapi brenda skuadrës i ka dy ekipe, edhe bankën e ka të fortë. Jemi skuadër që i kemi të gjitha”, tha Batatina.

Ai mendon se nuk do të jetë e lehtë të mbrohet titulli i Kupës, por beson se mund të ia dalin.

“Të gjitha skuadrat që kemi në short, të gjitha janë të forta, sepse nuk kanë ardhur deri këtu rastësisht. Mendoj që nuk do të jetë e lehtë. Përparësia e jona është se do të jemi vendas në ndeshjen radhë. Nuk duhet të ngutemi as në Kupë e as në kampionat. Nuk është befasi që Llapi ta bëjë atë që e ka bërë Feronikeli, pra ta mbrojë titullin e kupës. I kemi të gjitha, skuadër cilësore, organizim i mirë, kryesia ia ka krijuar të gjitha kushtet ekipit”, përfundoi Batatina.