Llapi ka nevojë vetëm për pikë, e jo për lojë të bukur siç ka bërë më parë, ka thënë pas ndeshjes trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Llapi mposhti Dukagjinin 2:1 në “Zahir Pajaziti”, dhe i është afruar kreut të tabelës në katër pikë.
Ky fakt e ka gëzuar trajnerin Batatina, i cili ka thënë se nuk ka qenë e lehtë përballja me Dukagjinin.
“Asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Besoj se kemi marrë gjitha masat për këtë ndeshje, pasi Llapit i duhej fitorja dhe i duhen pikët. Dukagjini është skuadër që ka ekip të mirë dhe punon shumë në defansivë. Shënuam herët nga penalltia dhe kishim një lojtar më shumë sesa Dukagjini. E shfrytëzuam avantazhin numerik dhe kjo bëri diferencën. Goli i dytë erdhi në momentet vendimtare. E rëndësishme është që në këtë stinor pranveror të marrim rezultate pozitive. Nuk mund të luajmë futboll cilësor siç ka bërë Llapi gjithmonë, por kemi nevojë për pikë. I përgëzoj djemtë për angazhimin. Taktikisht e kemi mbuluar mirë Dukagjinin. Llapi ka lojtar si Ilir Krasniqi e Muhamet Hyseni që bëjnë gola dhe mbajnë mirë repartin defanziv. Edhe Arbnor Ramadani bëri asistim të mirë. Mendoj që asistimet e tij janë gjithmonë avantazh për skuadrën tonë. Dukagjinit i dëshiroj suksese. Ne do të mendojmë për ndeshjen e radhës. Do t’i marrim ndeshjet një nga një. Do të bëjmë maksimumin e ta shfrytëzojmë çdo moment”, ka thënë Batatina fillimisht.
Ai më pas foli edhe për ndeshjet me skuadrat e poshtme të tabelës. Ballkani ditë më parë barazoi me Feronikelin 74, 2:2.
“Djemve ju kam thënë se nuk duhet nënvlerësuar asnjë skuadër nëse synojmë kreun e tabelës. Të gjithë dinë të luajnë futboll e të stërviten. Ka ndryshuar futbolli. Të gjithë dinë të punojnë. Këtë e ka mundësuar teknologjia informative. Ndonjëherë e ke ekipin dhe nuk e merr seriozisht. Ne hyjmë seriozisht në çdo ndeshje. E rëndësishme është që fituam ne. Llapi ka krijuar ekip solid, nga portieri deri te sulmuesi. Kemi numër të mjaftueshëm të lojtarëve. Më e vështira është ta bëj një 11-she. Djemtë këtë e kanë kuptuar por ka harmoni. Është harmoni të cilën po e shijojmë të gjithë së bashku”, deklaroi Batatina.