Tridhjetë minutat e para të ndeshjes së zhvilluar të enjten mbrëma ishin vendimtare që Llapi të mposhtej në ndeshjen e parë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës në këtë edicion. Llapi humbi nga Buduqnosti në Mal të Zi me rezultatin 2:0.
Me rezultat identik, Llapi ishte mposhtur edhe nga Shkupi në edicionin debutues dhe më pas ishte eliminuar nga gara e tretë e UEFA-s për nga rëndësia.
Por trajneri i skuadrës, Tahir Batatina, beson se Llapi e ka tërë potencialin që sivjet të kalojë në raundin e dytë kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Ai të premten për KOHËN theksoi se kanë qenë disa detaje të vogla që ndikuan në humbje në ndeshjen e parë në Podgoricë.
Batatina, fituesi i Kupës së Kosovës për dy edicione rresht me Llapin, shtoi se me ndihmën e tifozëve të zjarrtë të ekipit, si dhe me përkrahjen e të tjerëve që do të vijnë në stadium suksesi nuk do të mungojë.
Batatina shtoi se përmbysja e rezultatit nga ndeshja e parë është më se e mundur.
“E kishim përgatitur ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Në 15 minutat e para të ndeshjes madje ishim edhe dominues ndaj kundërshtarit. Por e pësuam një gol nga një që nuk premtonte fare. Më pas erdhi kartoni i kuq që na prishi planet që i kishim për të marrë rezultat të kënaqshëm. Si rezultat i një futbollisti më pak në fushë, u prish edhe balancimi brenda ekipit. Në ato momente e pranuam edhe golin e dytë”, ka thënë fillimisht tekniku llapjan.
e parë Buduqnosti e shënoi në minutën e 23-të nëpërmjet Lazar Mijoviqit. Me karton të kuq u përjashtua nga loja qendërmbrojtësi brazilian, Bianor Neto, pas gjysmë ore lojë. Pikërisht nga faulli të cilin e shkaktoi Neto, erdhi edhe goli i dytë i vendësve i realizuar në minutën e 32-të nga Urosh Ignjatoviq.
“Në pjesën e dytë u mobilizuam mirë dhe e mbajtëm portën të paprekur. Madje, krijuam edhe raste për shënim. Prej minutës së 65-të të ndeshjes ishim dominues në fushë, pavarësisht se e kishim një lojtar më pak”, ka thënë Batatina.
Ndeshjen kthyese të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës kundër Buduqnostit, Llapi do ta zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të enjten nga ora 20:00.
Llapi do të luajë në kryeqytet për shkak se stadiumi “Zahir Pajaziti” nuk i plotëson kushtet për ta zhvilluar një ndeshje të garave evropiane.
Stadiumin “Fadil Vokrri” Batatina e njeh mirë dhe madje ka korrur suksese në të.
Ka festuar dy herë në dy edicionet e fundit të Kupës së Kosovës.
“Shpresojmë fillimisht të bëjmë paraqitje të mirë në fushën e lojës e t’i kënaqim tifozët që do të mblidhen në stadium për ta parë nga afër ndeshjen. Më pas do të mundohemi që ta marrim rezultatin që na mundëson kalimin tutje, e në fund të festojmë të gjithë së bashku. Ne në Podgoricë nuk arritëm që të realizonim ndonjë gol, por unë e kam besimin e plotë te ky grup, te kjo skuadër. E kemi kualitetin brenda grupit për ta përmbysur rezultatin dhe shpresojmë ta bëjmë një gjë të tillë”, u shpreh 44-vjeçari.
Për Llapin është hera e dytë rresht që merr pjesë në këtë garë. Në rast se e kalon këtë raund garash, do të ballafaqohej me fituesin e takimit Breidablik (Islandë) - Santa Coloma (Andorra).