Sport

Basketbollistja amerikane lirohet në shkëmbim me tregtarin rus të armëve

Rusia liroi basketbollisten Brittney Griner të enjten në një shkëmbim dramatik të burgosurve, teksa SHBA-ja, e liroi tregtarin famëkeq rus të armëve Viktor Bout, por nuk arriti të fitonte lirinë edhe për një tjetër amerikan, Paul Whelan, i cili është burgosur për gati katër vjet. Shkëmbimi, në një kohë të tensioneve të rritura mbi Ukrainën, arriti një qëllim kryesor për presidentin Joe Biden, por mbarti një çmim të rëndë.

“Ajo është e sigurt, ajo është në një avion, ajo është në rrugën e saj për në shtëpi”, tha Biden nga Shtëpia e Bardhë, ku shoqërohej nga gruaja e Grinerit, Cherelle dhe zyrtarë të administratës.

Marrëveshja, shkëmbimi i dytë i tillë në tetë muaj me Rusinë, siguroi lirimin e amerikanes më të shquar të arrestuar jashtë vendit. Griner, e cila ka fituar dy medalja të artë olimpike, ishte në burg prej muajsh për shkak të akuzave për përdorim të drogës.

Autorizimi i Biden për të liruar një kriminel rus të mbiquajtur dikur "Tregtari i vdekjes" nënvizoi presionin në rritje me të cilin u përball administrata e tij për ta kthyer Grinerin në shtëpi, veçanërisht pas zgjidhjes së fundit të çështjes së saj penale dhe transferimit të saj të mëvonshëm në një koloni penale.

Ministria e Jashtme ruse konfirmoi gjithashtu shkëmbimin, duke thënë në një deklaratë të transmetuar nga agjencitë ruse të lajmeve se shkëmbimi u zhvillua në Abu-Dhabi dhe se Bout ka ardhur në shtëpi. Arrestimi i Grinerit në shkurt e bëri atë amerikanen e profilit të lartë të burgosur jashtë vendit. Griner u arrestua në aeroportin e Moskës, kur zyrtarët doganorë thanë se gjetën shishe me vaj kanabisi në bagazhin e saj. Ajo u deklarua fajtore në korrik, megjithëse u përball ende me gjyq, sepse pranimi i fajit në sistemin gjyqësor të Rusisë nuk përfundon automatikisht një çështje. Ajo pranoi në gjykatë se i posedonte shishet, por tha se nuk kishte asnjë qëllim kriminal dhe tha se prania e tyre në bagazhin e saj ishte për shkak të paketimit të nxituar. Pasi u shpall fajtore, Griner u pat dënuar me nëntë vjet burgim në Rusi.