Në paraqitjen e dytë zyrtare në garat ndërkombëtare, Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave në basketboll ka synime të mëdha. Basketbollistet e Kosovës synojnë medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, që do të mbahet në Qipro. Vitin e shkuar, “Dardanet” debutuan në këtë garë të FIBA-s, me medaljen e bronztë. Njëra prej basketbollisteve më të dalluara të Kosovës vitin e shkuar, Era Shatri, haptazi ka pranuar se këtë vit në Qipro udhëtojnë për vendin e parë. Ky kampionat do të mbahet në Nicosia të Qipros prej 28 qershorit deri më 3 korrik. Kosova është pjesë e Grupit A, të cilin e përbëjnë edhe Malta, Andorra, Qipro e Norvegjia.
“Vitin e kaluar pjesëmarrja ka qenë historike, pasi kemi luajtur për herë të parë dhe mendoj që emocionet kanë qenë të përziera, por pavarësisht kësaj kemi arritur suksesin që ndoshta nuk e kemi menduar as vetë, ta fitojmë vendin e tretë”, ka pranuar Shatri.
“Këtë vit është më ndryshe, pasi tashmë i njohim kundërshtarët dhe kemi krijuar përvojë. Kështu që pretendojmë ta fitojmë tërë këtë kampionat për shtetet në zhvillim”.
Ndeshjen e parë Kosova e luan më 28 qershor me Maltën, përpara se të ballafaqohet me Andorrën më 29 qershor. Më 30 qershor Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parafundit në grup me Qipron, kurse të fundit e ka ndaj Norvegjisë më 2 korrik.
Kapitenia Arbnore Përquku beson se pavarësisht kohës së shkurtër për t’u përgatitur, do të paraqiten sa më mirë në Qipro.
“Ka qenë kohë e shkurtër për t'u përgatitur, pasi ka tri javë që kemi nisur me stërvitjet. Mirëpo, përkundër kësaj jemi mobilizuar mirë dhe po shpresojmë që të arrijmë sukses. Vitin e kaluar kemi përfunduar në vendin e tretë dhe këtë herë e dimë se çfarë ekipesh janë dhe çfarë na pret atje. Besoj se me shumë punë mund të arrijmë gjithçka”, ka shtuar Përquku.
Kosova para tri javësh ka nisur përgatitjet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, dhe përzgjedhësi Fidan Shatri beson se përvoja e fituar nga edicioni i kaluar do t’iu shërbejë për t’u paraqitur sa më mirë në këto takime. Për dallim prej vitit të shkuar, këtë vit pjesë e Kosovës nuk do të jetë amerikania e natyralizuar Alexis Tolefree.
“Mendoj se përvoja që e kemi fituar nga edicioni i kaluar do të na ndihmojë të paraqitemi sa më mirë, pasi kemi fituar njohuri si ndaj kundërshtarëve ashtu edhe të paraqitjeve në garat ndërkombëtare”, u shpreh përzgjedhësi Shatri. “Përveç Norvegjisë, me të gjithë kundërshtarët kemi luajtur dhe ekipet nuk kanë ndryshuar aq shumë. Ndeshjen e parë do ta luajmë ndaj Maltës, shpresoj ta kalojmë këtë kundërshtar dhe deri te Norvegjia nuk besoj se do të kemi probleme edhe pse nuk kemi shumë njohuri”.
Edhe basketbollistja Marigona Rushiti ka pranuar se nuk kanë shumë njohuri për Norvegjinë, por kanë kohë të mjaftueshme për ta analizuar deri te përballja e fundit në grup. Me gjithë këtë, edhe Rushiti e ka shprehur optimizmin e saj për ta fituar medaljen e artë.
“Vitin e kaluar ka qenë një pjesëmarrje historike e Kosovës, ku arritëm të fitonim medaljen e bronztë edhe pse nuk i kemi njohur kundërshtarët. Këtë vit i njohim dhe po punojmë që të përgatitemi sa më mirë. Përveç Norvegjisë që nuk e njohim, tri përfaqësueset e tjera i njohim dhe i dimë kualitetet e tyre. Synimi ynë në këtë vit, sigurisht që është vendi i parë”, insistoi Rushiti.