Sport

Basketbolli sërish po i mbush palestrat

Sigurimi i një bilete për ta përcjellë skuadrën e basketbollit Trepça në palestrën “Minatori” është kthyer në sfidë për shikuesit mitrovicas. Kërkesa aktualisht është më e madhe se kapaciteti i palestrës buzë lumit Ibër.

“Madje ka raste kur një pjesë e madhe e shikuesve mbesin jashtë dhe na vjen keq për këtë, pasi nuk ka vend në palestër”, tha drejtori sportiv i klubit Trepça, Izet Tahiri, të enjten për KOHËN.

Image

Plot 3000 shikues përcollën derbin e madh, Trepça – Sigal Prishtina, të mërkurën mbrëma. Ishte ndeshje e mbetur të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës. Ishte mbrëmje e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, por kjo kishte pak rëndësi. Në Mitrovicë aktualisht klubi i basketbollit ka vëmendjen e plotë.

Numri i shikuesve në palestër megjithatë, mund të ketë qenë edhe më i madh. Jashtë palestrës mbetën qindra shikues.

Trepça edhe në ndeshjet e kaluara ka mbushur palestrën “Minatori”. Dhe do të jetë sfidë për të siguruar biletë edhe në ndeshjet e ardhshme për shikuesit mitrovicas.

Interesimi i madh i shikuesve u kthye pas riorganizimit të klubit dhe forcimit të skuadrës. Kërkesa u bë jashtëzakonisht e madhe në plejofin e edicionit të kaluar dhe po vazhdon edhe në fillim të edicionit të ri.

Drejtori sportiv, Tahiri, ka një shpjegim për interesin shumë të madh.

“Në Mitrovicë gjithmonë interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm dhe këtë edicion po vazhdon të jetë i tillë, ndonëse mund të them se ka kërkesa të mëdha për bileta. Shikuesit janë më se të domosdoshëm për ekipin tonë, të cilin po e motivojnë maksimalisht në secilën ndeshje. Me një fjalë, ata janë dhe mbesin lojtari ynë i gjashtë. Ndihemi krenarë me shikuesit tanë, të cilët gjithmonë qëndrojnë prapa klubit. Po ashtu, edhe organizimi i mirë në klub, synimet e mëdha që i kemi kohët e fundit, kanë ndikuar edhe në numrin tejet të madh të kërkesave për të qenë në palestër kur luan KB Trepça”, thotë Tahiri.

Prania e shikuesve në numër të madh krahasohet edhe me periudhën e shumë viteve më parë, kur basketbolli ishte sporti numër një në vend, si për nga investimet ashtu edhe organizimi.

Image

“Minatori” nuk është palestra e vetme që po mbushet në tërësi. Edhe në “Karagaçi” ku i luan ndeshjet Peja, numri i shikuesve është i madh.

Drejtori sportiv i Pejës, Arbër Elshani zbulon se në ndeshjen ndaj Trepçës kanë shitur 3278 bileta. Ai thotë se me Komunën e Pejës kanë projektin e rritjes së kapacitetit të palestrës edhe për 800 vende.

“Jemi shumë të kënaqur me shikueshmërinë për këtë edicion. Mendoj se pas sezonit 2003/04, në Pejë nuk mbahet mend interesim më i madh se këtë edicion. Ne ndeshjen me Trepçën i kemi pasur 3278 shikues në palestër. Jemi duke bërë projekt bashkë me Komunën e Pejës që kapacitetin e Karagaçit ta rritim edhe për 800 ulëse tjera të cilat janë ulëse lëvizëse. Këtë e bëjmë në mënyrë që palestrën tonë ta shndërrojmë në më të madhen në Kosovë për kah kapaciteti. Kërkesat janë shumë të mëdha për secilën ndeshje që e luajmë në shtëpi dhe kjo është arsyeja se pse duhet ta zgjerojmë kapacitetin e palestrës”, ka thënë Elshani.

Te Vëllaznimi i Gjakovës thonë se për të bindur shikuesit të përcjellin ndeshjet nga tribunat u është dashur punë disavjeçare. Rritje të shikueshmërisë nga vitet e kaluara ka edhe në Prishtinë dhe në qytete tjera. Por, për numrin më të madh të shikuesve vlerësohen të prinë Mitrovica e pas saj edhe Peja dhe Gjakova. Këtë edicion jo vetëm Trepça, por edhe klubet tjera kanë organizim më të mirë e po ashtu edhe ekipe më konkurruese. Kjo ka bërë që edhe ndeshjet të jenë më rivalizuese.

Drejtori sportiv i Vëllaznimit, Ideal Bakija thotë se Gjakova ka shikues, por sipas tij, duhet një shkëndijë për t’i afruar.

“Nuk është çudi kjo për ne si klub, pasi të gjithë kanë parë punën që e kemi bërë dhe organizimin e mirë në klub gjatë kësaj periudhe. Sigurisht që jemi shumë të kënaqur me numrin e madh të publikut, pasi në Gjakovë gjithmonë përkrahen klubet dhe nevojitet vetëm një shkëndijë për t’i sjellë ata. Ne tashmë e kemi dhënë këtë shkëndijë dhe po mundohemi që atyre këtë besim që po e kanë ndaj nesh t’ua shpërblejmë me paraqitje të mira në parket. Kërkesat janë jashtëzakonisht të mëdha për secilën ndeshje që e luajmë në shtëpi dhe ka raste që po duhet para kohe ta mbyllim shitjen e biletave për shkak të interesimit të madh. Ne besojmë se këtë përkrahje do ta kemi deri në fund të sezonit dhe kjo është motivuese për ekipin tonë”, ka thënë Bakija.

Në disa ndeshje udhëtojnë edhe tifozët mysafirë. Për shembull ata të Yllit udhëtojnë në Mitrovicë ose anasjelltas. Vetëm me marrëveshje në mes klubeve dhe me leje të policisë së Kosovës mund të jenë të pranishme tifozeritë mysafire.

Rritjen e shikueshmërisë e duartrokasin edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës.

“Këtë vit kemi pasur një rritje të dukshme të tifozerisë. Kjo është për shkak se kemi shumë ndeshje interesante dhe të barabarta, ku dallimet nuk janë të mëdha mes skuadrave të elitës. Të gjitha skuadrat janë përforcuar në bazë të synimeve që kanë dhe po zhvillohet një garë shumë interesante. Pothuajse të gjitha palestrat janë të mbushura dhe është vetëm fillimi i kampionatit. Tifozët e basketbollit janë të etur të shohin ndeshja të bukura në parket dhe ne si FBK, sigurisht jemi shumë të lumtur kur shohim palestrat me tifozë. Jemi dëshmitarë që deri më tani kemi parë shumë sfida të bukura dhe me vazhdimin e garave, interesimi sigurisht do të rritet më shumë.

Pjesëmarrja në garat ndërkombëtare të skuadrave tona, por edhe ndalimi për një kohë i tifozëve për shkak të masave anti-Covid, ka bërë që adhuruesit e basketbollit mezi të presin fillimin e këtij edicioni, ku shpresojmë se do të ketë plotë përballje të bukura dhe çka është më e rëndësishme me palestra të mbushura me tifozë”, shkruan në një përgjigje të FBK-së për KOHËN.