Reprezentuesi i kohëpaskohshëm i Kosovës në basketboll, Arti Hajdari, karrierën do ta vazhdojë te Ponte Prizreni. Ponte të hënën ka njoftuar se Hajdari zyrtarisht është pjesë e kësaj skuadre. Basketbollisti pejan ka firmosur për një vit, me mundësi të vazhdimit të kontratës. Ai në edicionin e kaluar ishte fillimisht te Feronikeli e më pas te Peja. Me Pejën e fitoi Kupën e Kosovës.
Fundori 27-vjeçar ka luajtur me sukses edhe te Rahoveci. Me Hajdarin, Ponte Prizreni ka kompletuar skuadrën për edicionin e ri.
“Jam i lumtur që kam kaluar në një klub të organizuar. Do të jap më të mirën të mundshme nga vetja që Ponte Prizreni t’i arrijë objektivat”, ka thënë Hajdari.
Justin Jones, Josh Martin, Ty Nichols janë transferuar më herët nga Ponte Prizreni, që po pret leje për të nisur përgatitjet.