Motivi është i lartë te skuadra e Bashkimit para përballjes me kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin, në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll.
Këto dy skuadra do të takohen të dielën prej orës 17:00 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Ndeshja i takon xhiros së 21-të. Ylli është vendas, ndërsa te Bashkimi insistojnë se do të udhëtojnë për fitore në palestrën ku muajt e fundit kanë stërvitur dhe po luajnë si nikoqir për shkak se palestra “Sezai Surroi” në Prizren është ende duke u rinovuar.
Optimizmi te Bashkimi është i madh para duelit në të cilin futet pas fitores së madhe që e arriti të hënën ndaj Pejës (76:72).
Bazuar në atë triumf dhe humbjen e Yllit nga Trepça, prizrenasit besojnë në fitore. Trepça ia ndërpreu Yllit serinë prej 15 fitoreve.
Te Bashkimi është kthyer nga lëndimi Curtis Jones, i cili mungoi në duelin e kaluar. Bashkimi në gjashtë ndeshjet e fundit ka regjistruar pesë fitore dhe zë vendin e pestë në tabelë me 29 pikë, gjashtë më pak se Ylli që është i dyti dhe ka pikë të barabarta me lideren, Sigal Prishtinën.
“Fitorja ndaj Pejës na ka motivuar dhe jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Yllin, përkundër telasheve që i kemi me palestrën tonë. E kemi parasysh që Ylli po kalon një formë të mirë dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Mirëpo, fitorja e Trepçës që ndali serinë e Yllit na bën optimistë për ta bërë edhe ne një gjë të tillë. Jemi në formë të mirë dhe besoj se këtë do ta dëshmojmë edhe kundër kampionit. Mbi të gjitha pres të jetë një ndeshje e fortë dhe me rivalitet të madh”, ka thënë Altin Morina të premten për KOHËN.
Tek Ylli insistojnë se duan menjëherë të kthehen te fitorja në Superligë, për të dëshmuar se tashmë është tejkaluar disfata nga Trepça.
Kapiteni i Yllit, Gëzim Morina, ka pranuar se i pret një ndeshje e vështirë, por ka insistuar se kërkojnë fitoren, duke pasur parasysh se luajnë në shtëpi dhe kanë përkrahjen e tifozëve.
“Na pret një ndeshje e vështirë, pasi Bashkimi është ekip mjaft kualitativ dhe ka përmirësuar dukshëm performancën në ndeshjet e fundit. Pas humbjes se fundit ndaj Trepçës, me të cilën u ndërpre seria mjaft e mirë, synimi ynë i vetëm është fitorja të dielën. Pra, duam të kthehemi te fitorja që do të jetë shumë e rëndësishme për pjesën e epërme të tabelës”, është shprehur Morina.
Të dielën do të luhet edhe ndeshja e fundit e xhiros mes Sigal Prishtinës dhe Ponte Prizrenit. Kjo ndeshje nis në orën 19:00 dhe zhvillohet në Prishtinë. Sigal Prishtina nuk di për humbje prej xhiros së dhjetë, ndërsa Ponte Prizreni ka vetëm një fitore në tetë ndeshjet e fundit.
Xhiroja do të hapet të shtunën prej orës 17:00 në palestrën “Karagaçi”, ku Peja e pret Rahovecin. Peja llogaritet favorite përballë Rahovecit dhe pritet të kthehet te fitorja pas humbjeve që i pësoi nga Bashkimi dhe Trepça.
Ndërkohë, Vëllaznimi, që fitoi xhiron e shkuar pas tri humbjeve, e pret në Gjakovë skuadrën e Trepçës. Kjo ndeshje nis në orën 19:00.
Trepça ka treguar formë të mirë pas ardhjes së trajnerit Engin Gençolu, duke mposhtur Pejën dhe Yllin.
Superliga – 21
E shtunë
Peja – Rahoveci (17:00)
Vëllaznimi – Trepça (19:00)
E diel
G.E. Ylli – Bashkimi (17:00)
S. Prishtina – P. Prizreni (19:00)
1. S. Prishtina 20 35
2. G.E. Ylli 20 35
3. Peja 20 33
4. Trepça 20 31
5. Bashkimi 20 29
6. Vëllaznimi 20 28
7. P. Prizreni 20 27
8. Rahoveci 20 22